Mehmetaj: Dëmshpërblimet e tërmetit, rast flagrant për të cilin SPAK nuk ka folur ende

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj u shpreh sot në një deklaratë për mediet se, “rasti i dëmshpërblimeve të tërmetit është rasti më flagrant për të cilin Prokuroria dhe SPAK ende nuk kanë folur”.

“Qeveria ka përdorur pak ditë përpara zgjedhjeve miliona euro të buxhetit të shtetit për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti”, shtoi ajo.

“Vetëm në këto zona qeveria ka shpërndarë 40 milionë euro dhe në mënyrë fiktive ka rritur faturën e dëmeve të shkaktuara nëpër banesa, me qëllim blerjen e votës. Banesa të kategorizuara më parë si DS1, u rivlerësuan në DS2, ato DS2 u rivlerësuan si DS3 e kështu me radhë”, tha Mehmetaj.

“Vetëm gjatë javës zgjedhore në Bashkinë e Durrësit u shpërndanë 6 milionë euro para për dëmet e tërmetit, dhjetëra herë më shumë sesa janë shpërndarë në këtë bashki prej 1 viti e gjysmë”, theksoi ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.