Marku: Mosnjohja e zgjedhjeve nuk nënkupton mospjesëmarrjen në Parlament

TIRANË, 4 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me të gjithë kandidatët e PD-së në zgjedhjet e 25 prillit.

Në një prononcim për mediet, kandidati për deputet i PD-së, Mark Marku deklaroi se do të reagojmë fort me protesta për manipulimin e zgjedhjeve.

“PD po punon fortë për të dokumentuar dhe dorëzuar të gjithë dokumentacionin dhe akuzat për masakrën zgjedhore që është bërë në Shqipëri. Normalisht të gjithë e dinë se këtu ka pasur një masakër zgjedhore, por problemi është se duhen dhënë provat juridike dhe denoncimet që janë të pafundme. Pra do të duhet të ndërtohet një dosje e manipulimit të zgjedhjeve. E dyta, pastaj të gjitha format e reagimit, nga protesta masive”, tha ai.

Në lidhje me pyetje se a do të jetë PD pjesë e parlamentit, Marku tha se mosnjohja e zgjedhjeve nuk nënkupton patjetër mospjesëmarrjen në Parlament. Ne luftën do ta bëjmë kudo, në Parlament, në rrugë kudo. Do jetë një luftë totale deri sa Rama të largohet nga pushteti.

Në lidhje me protesta, Marku tha se “duhen kombinuar të gjitha format e rezistencës. Bëhet fjalë për një regjim i cili duhet luftuar me të gjitha format. Në momentin që vidhen zgjedhjet, prishen rregullat e lojës dhe askush s’është i detyruar të ndjekë rregullat e lojës demokratike, secili reagon në format më efikase të mundshme”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.