Kuvendi miraton gjashtë akte normative, rrëzon dy dekrete të Metës

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Seanca e sotme plenare, në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, miratoi gjashtë akte normative dhe rrëzoi dy dekrete të Presidentit të Republikës.

Akti normativ nr. 8, datë 22.3.2021 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar”’, për synim kishte sigurimin e fondit prej 10 milionë dollarëve për blerjen e vaksinës nga kompania turke e “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.S. te krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd. përmes ndryshimeve në shpenzimet buxhetore. Ky akt u miratua me 91 vota pro, 3 kundër dhe 5 abstenime.

Te ndërlidhura me blerjen e vaksinave nga kompania turke, u miratuan edhe dy aktet e tjera normative, nr. 9 dhe nr. 10. Akti normativ nr. 9, datë 22.3.2021 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.S, për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell) Coronavax, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd., dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës”, u miratua me 93 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenime.

Akti normativ nr. 10, datë 24.3.2021 “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar, ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit  Publik, dhe distributorit të autorizuar “Keymen Ilaç Sanayi ve Ticaret”, A.S. për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me vaksinën e inaktivizuar kundër COVID-19 (Vero Cell), Coronavac, të krijuar nga Sinovac Life Science Co, Ltd., dhe të prodhuar në Republikën Popullore të Kinës” u miratua me 93 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenime.

Seanca e sotme plenare miratoi edhe tre akte të tjera normative.

Akti normativ nr. 11, datë 25.03.2021 “Për një ndryshim në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar””, që u zgjaste vlefshmërinë kartave të identiteti me qëllim pjesëmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit, sipas kërkesës së Partisë Demokratike, si edhe akti normativ nr. 13, datë 31.03.2021 “Për një ndryshim në ligjin nr.8668, datë 23. 10. 2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar””, propozuar me të njëjtin qëllim, u miratuan përkatësisht me 91 dhe 93 vota pro.

Akt normativ nr. 12, datë 25.03.2021 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin 112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i cili zgjat afatin që subjektet të regjistrojnë pronarin e tyre përfitues dhe subjektet raportuese në Regjistrin e Pronarit Përfitues, u miratua me 83 vota pro, 4 kundër dhe 6 abstenime.

Me 82 vota kundër, 10 pro, 6 abstenime, seanca e sotme plenare rrëzoi dekretin nr. 12 055, datë 26.3.2021, “Për kthimin e ligjit nr. 30/2021 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar” dhe me 83 vota kundër, 8 pro dhe 7 abstenime, u rrëzua dekreti i Presidentit të Republikës nr. 12.078, datë 6.4.2021 “Për kthimin e ligjit nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Në vijim të masave protokollare antikovid, edhe seanca e sotme plenare u zhvillua në kushte të posaçme. Seanca vendosi për zëvendësimin e seancës plenare të parashikuar më datë 13 maj, që përkon me festën zyrtare të Bajramit, si edhe, me dakordësi mes palëve, u vendos shtyrja e seancës së radhës së kësaj jave, e parashikuar për ditën e enjte, 24 orë më pas, për në ditën e premte.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.