Kategoria Superiore U-19/ Vllaznia dhe Teuta, ekipet kampione të grupit A dhe B

TIRANË, 4 maj /ATSH/ Kategoria Superiore e moshës U-19 ka hyrë në fazën më të nxehtë, teksa ka shpallur këtë javë ekipet kampione në të dyja grupet.

Vllaznia u shpall kampione e Grupit A të kampionatit të moshës U-19 pasi e mbylli sezonin e rregullt me 44 pikë pas 27 javësh. Ekipi shkodran mundi në javën e fundit Dinamon me rezultatin 3-1 në ndeshjen e luajtur në fushën sportive të Arbanës, duke siguruar kështu zyrtarisht vendin e parë.

Në ceremoninë e zhvilluar në përfundim të kësaj ndeshjeje, legjenda e futbollit shqiptar Sulejman Demollari i dorëzoi trofeun lojtarëve të Vllaznisë.

Teuta u shpall kampione në Grupin B të Kategorisë Superiore U-19, duke e mbyllur sezonin e rregullt me 38 pikë pas 27 javësh. Ekipi durrsak, që e kishte siguruar qysh një javë më parë kreun, mori trofeun nga ish-trajneri i mirënjohur Sulejman Mema në ceremoninë e zhvilluar në fund të ndeshjes ndaj Akademisë së Futbollit.

Këtë fundjavë do të nisë edhe faza play-off e Kategorisë Superiore U-19, që do të përcaktojë më pas edhe ekipin kampion të Shqipërisë në këtë grup-moshë. Në këtë fazë do të marrin pjesë 8 ekipet e renditura në 4 vendet e para të dy grupeve respektive. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.