G7 – Të drejtat e njeriut dhe kërcënimet ndaj demokracisë në fokus të samitit

LONDËR, 4 maj /ATSH-DPA/ – Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 do të diskutojnë të drejtat e njeriut dhe kërcënimet ndaj demokracisë në ditën e dytë të një samiti të posaçëm në Londër, sipas Ministrisë së Jashtme britanike.

Takimi ballë për ballë po zhvillohet përpara një samiti tjetër të G7-s, i planifikuar për në qershor.

Sot, përfaqësues nga SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe Bashkimi Europian do të takohen me ministrin e Jashtëm britanik, Dominic Raab.

Ministria e Jashtme britanike thotë se Raab do të nxisë kombet e G7 të ndërmarrin veprime më të forta kundër juntave ushtarake, përfshirë edhe zgjerimin e sanksioneve të shënjestruara kundër individëve dhe njësive të lidhura me ushtrinë në Mianmar, mbështetjen e embargove të armëve dhe rritjen e ndihmës.

Diskutimet do të zhvendosen më pas për Libinë dhe luftën e vazhdueshme në Siri.

Në pasditen e vonë, politikanët do të diskutojnë situatën në Etiopi, Somali, Sahel dhe Ballkanin Perëndimor.

Ministrat e Jashtëm do të flasin gjithashtu edhe për aktivitetet e vazhdueshme shqetësuese të Rusisë, përfshirë përmes grumbullimit të trupave në kufirin ukrainas, disidentin Aleksei Navalni dhe situatën në Bjellorusi./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.