FOTO/ Spitali i ri i Kukësit, transformim i shërbimit në kompleksin e ri spitalor për banorët

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Spitali i ri rajonal i Kukësit po kthehet në një strukturë moderne të shërbimit shëndetësor për banorët e qarkut verilindor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, publikoi sot disa fotografi nga punimet që po kryhen në këtë spital.

“Spitali i ri i Kukësit, me sallat moderne të kirurgjisë, urgjencën me standarde bashkëkohore dhe maternitetin e ri, do të transformojnë shërbimin në kompleksin e ri spitalor, për banorët e qarkut verilindor. S’ka kohë për pushim për të çuar përpara investimet për modernizimin e spitaleve tona nga veriu në jug, për të ndërtuar me punë çdo ditë shëndetësinë që duam”, – theksoi Manastirliu.

Ndërtimi i spitalit po kryhet në dy faza me një vlerë totale 3 milionë euro. Faza e parë përmbante ndërtimin e Urgjencës, rehabilitimin e ish-Urgjencës që kthehet në maternitet dhe 3 sallat e reja të Kirurgjisë me të gjitha pajisjet përkatëse.

Në spital do të vendoset sistemi i ngrohjes. Sallat janë të pajisura me gjithë sistemet e ajrimit, ventilimit. Janë 3 salla kryesore, njëra i vlen organizimit për maternitetin ku do të jenë shtrimet postoperatore. Do të jenë të gjitha të veshura me strukturën përkatëse për të siguruar ambient antibakterial të sallave.

Në godinën e vjetër të spitalit nuk është investuar që nga viti 1947.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.