Eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rritje gjatë 3-mujorit të parë 2021

TIRANË, 4 maj/ATSH/ Eksporti i tekstileve dhe këpucëve, që përbën një zë të rëndësishëm të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, ka shfaqur shenja rikuperimi gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, eksportet e këtij grupi llogariten 27.2 miliardë lekë gjatë tremujorit të parë të 2021-it nga 25.6 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të 2020-ës.

Gjatë vitit 2020 ekportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan rënie të ndjeshme krahasuar me 2019-n për shkak të kufizimeve të lëvizjes por edhe aktivitetit ekonomik pas vendosjes së masave shtrënguese për parandalimin e përhapjesë së pandemisë së COVID-19.

Sipas INSTAT, gjatë 2020-s, eksportet e grupit “tekstile dhe këpucë“ llogariten 102.3 miliardë lekë nga 118.2 miliardë lekë që ishin në 2019-ën.

Industria fason ka një peshë specifike në eksportet shqiptare dhe në punësim. Nisur edhe nga kërkesat në rritje të tregut europian, ky sektor konsiderohet ende në zgjerim dhe në zhvillim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.