“Defender Europe 21″/ Rama: Stërvitje e rëndësishme në ngjitjen e marrëdhënieve me SHBA në pikën më të lartë

TIRANË, 4 maj/ATSH-Maela Marini/ “Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë besnikërisht krah për krah jush si një vend që ndoshta nga pikëpamja numerike nuk i ofrojmë shumë kësaj aleance, por nga pikëpamja e vlerave që e bëjnë këtë aleancë unikale për botën tonë, ne dëshirojmë të jemi gjithmonë më të denjë e të vyer brenda kësaj aleance”.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në ceremoninë e organizuar në portin e Durrësit, ku nisi sot stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Rama tha se “është realisht një kënaqësi dhe nder për ne të kemi kaq shumë yje të mbledhura këtu në këtë vend të vogël”.

Kryeministri shprehu bindjen se kjo stërvitje është shumë shumë më tepër sesa një moment i rëndësishëm i të gjithë punës së përbashkët në funksion të rritjes dhe forcimit të kapaciteteve tona, sepse siç tha ai, “besoj se kjo stërvitje është edhe një tjetër pikë e rëndësishme në ngjitjen e mëtejshme të marrëdhënieve tona në pikën më të lartë”.

Ne, vijoi ai, “vazhdimisht i vlerësojmë këto marrëdhënie si të shkëlqyera, por ato mund të jenë gjithmonë e më të shkëlqyera falë një besimi të madh dhe një ndërveprimi reciprok të vazhdueshëm”.

“Gjenerata jonë lindi dhe u rrit me idenë se ju nuk duheshit lënë kurrrë të shkelnit në këtë vend. Ne të gjithë u brumosëm nga propaganda e regjimit të shkuar me bindjen se ju jeni e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë jo vetëm Shqipërisë, por mbarë botës. Realisht për gjeneratën tonë është vërtetë një mrekulli e madhe që e ka ndarë jetën mes dy botëve, asaj të izoluar dhe të errët dhe kësaj bote sot. Dua shumë të besoj që pas zbarkimit tuaj në Shqipëri edhe juve do t’ju ndodhë ajo që ju ndodh të gjithëve kur vijnë në Shqipëri që do të doni të riktheheni përsëri. Kush vjen në Shqipëri dëshiron të kthehet përsëri. Kam shumë dëshirë edhe besim që kjo do të ndodhë edhe me ju”, tha ai.

Kryeministri tha se “ajo që ne të gjithë së bashku duhet të mbajmë parasysh është detyrimi për t’i përcjellë gjeneratave të tjera këtë amanet kaq të rëndësishëm për të ardhmen e vendit tonë, por edhe të botës së madhe që kemi zgjedhur, amanetin e kësaj marrëdhënie strategjike për lirinë dhe demokracinë jo vetëm të Shqipërisë, por të mbarë botës duke u investuar së bashku të bëjmë më shumë për brezin e ri në të gjitha aspektet”.

“Duhet t’i japim brezit të ri mundësinë që të edukohet që në krye të herës me vlerat, parimet, standardet shumë të larta të forcave të armatosura të NATO-s”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se “ky është një moment historik për ne të gjithë që na mbush me krenari, por edhe me përgjegjësi”.

“Suksese për këtë stërvitje unikale në gjithë historinë e marrëdhënieve tona që shpresoj se do të pasohet nga të tjera për t’i dhënë gjithë rajonit një mesazh shumë të qartë, por edhe përtej rajonit kujtdo që ka nevojë për përgjigje të drejtpërdrejta lidhur me qëndrimin tonë të vendosur brenda kësaj aleance, në krah të SHBA-së dhe së bashku me të gjitha vendet e tjera që kanë vendosur që për lirinë dhe demokracinë të paguajnë çdo çmim”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.