“Defender 21″/ Rama dhe gjenerali amerikan T.D. Wolters në bordin e anijes ushtarake të Rojës Bregdetare


TIRANË, 4 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe gjenerali amerikan T. D. Wolters, Komandanti Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut zhvilluan sot një udhëtim me anijen ushtarake të Rojës Bregdetare Shqiptare.

“Në anijen ushtarake të Rojës Bregdetare shqiptare me gjeneralin amerikan T. D. Wolters, Komandanti Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut, e me miq të tjerë”, tha Rama, ndërsa shoqërohej në këtë udhëtim edhe nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe ministra të kabinetit qeveritar.

Nga bordi i anijes ushtarake të Rojes Bregdetare shqiptare, Kryeministri Rama i dorëzoi gjeneralit amerikan T. D. Wolters, Komandantit Suprem të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Medaljen e Mirënjohjes, si dhe një karikaturë, teksa gjenerali amerikan i dha një medalje, për të cilin Kryeministri tha se do ia jepte djalit të tij, Zahos.

Në Portin e Durrësit nisi sot stërvitja e madhe, me dislokimin që ndodh për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Europë, ku do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Stërvitja ushtarake, e organizuar nga ushtria amerikane në Europë dhe Afrikë, ku marrin pjesë rreth 28 mijë trupa nga 26 vende aleate dhe partnere, do të zhvillohet në 7 baza të ndryshme në vendin tonë.

“Defender 21” që u çel sot do të zgjasë deri në 9 Qershor.

Shqipëria është një nga 16 vendet mirëpritëse në zhvillimin e kësaj stërvitjeje ushtarake. Forcat tona të Armatosura, do të përfaqësohen me rreth 1000 trupa.

Ndërkohë 28.000 trupa shumëkombëshe do të kryejnë aktivitete pothuajse në të njëjtën kohë në më shumë se 30 zona trajnimi, të shtrira në 12 vende.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.