COVID-19 – Gjermania lehtëson kufizimet për personat e vaksinuar

BERLIN, 4 maj /ATSH-AFP/ – Gjermania do të heqë disa kufizime, përfshirë detyrimin për të paraqitur një test negativ COVID-19 për të hyrë në dyqane, për personat e vaksinuar kundër koronavirusit të ri, njoftoi ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht.

“Personat e vaksinuar nuk do të kenë më nevojë për një test negativ nëse duan të bëjnë pazar, të shkojnë në parukeri ose të vizitojnë një kopsht botanik, për shembull”, tha në një deklaratë Lambrecht.

“Sipas një projektligji të miratuar të martën nga qeveria dhe që duhet ende të miratohet në fund të javës nga parlamenti, personat e vaksinuar do të jenë në gjendje “të takohen privatisht pa kufizime”, shtoi ministrja.

Ora e ndalimit policor, e aplikuar kohët e fundit gjatë natës nga ora 22:00, nuk do të zbatohet më për personat që kanë marrë dy doza të vaksinës.

Dhoma e ulët e parlamentit, Bundestag, do të votojë për këtë projektligj të enjten dhe Bundesrat, dhoma e sipërme, të premten.

Në rast të miratimit nga të dyja dhomat, këto lehtësime mund të hyjnë në fuqi që nga kjo fundjavë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.