Bill dhe Melinda Gates po i japin fund martesës pas 27 vitesh

SIATËLL, 4 maj /ATSH-DPA/ – Filantropistët Bill dhe Melinda Gates po i japin fund martesës së tyre pas 27 vitesh.

“Pas një marrëveshjeje për marrëdhëniet tona, ne kemi vendosur t’i japim fund martesës sonë”, shkroi çifti në një deklaratë të përbashkët të postuar në Twitter nga themeluesi i Microsoft.

“Gjatë 27 viteve të fundit ne kemi rritur tre fëmijë të mrekullueshëm dhe kemi ndërtuar një fondacion që punon në të gjithë botën për t’i mundësuar të gjithë njerëzve të bëjnë jetë të shëndetshme dhe produktive”, thuhet në deklaratë.

“Ne vazhdojmë të ndajmë besimin në atë mision dhe do të vazhdojmë punën tonë së bashku në bazë, por nuk besojmë më se mund të rritemi së bashku si çift në këtë fazë të ardhshme të jetës sonë”, theksuan ata.

Çifti drejton së bashku Fondacionin Bill & Melinda Gates, i cili është i vendosur në Seattle në Paqësorin Veriperëndimor të SHBA, me CEO Mark Suzman.

Në vendet në zhvillim, fokusi i fondacionit është në përmirësimin e shëndetit dhe sigurimin e mundësive për njerëzit që të dalin nga uria dhe varfëria ekstreme.

Në SHBA, fondacioni kërkon të sigurojë që njerëzit të kenë qasje të barabartë në atë që u nevojitet për të arritur sukses në shkollë dhe në jetë, veçanërisht për ata me më pak burime.

Fondacioni thotë se ka shpenzuar më shumë se 54 miliard dollarë për projekte deri në fund të vitit 2019.

Një nga mbështetësit më të mëdhenj të tij është investitori i njohur Warren Buffett, i cili tashmë ka dhuruar më shumë se 20 miliardë dollarë për organizatën. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.