Vrojtimi i BSH-së: Ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha ecuri më të mirë të shitjeve në 6-mujorin e II

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë për gjendjen financiare të bizneseve në gjysmën e dytë të vitit 2020 tregoi se ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha kanë raportuar ecuri më të mirë të shitjeve dhe gjendjes financiare krahasuar me gjashtëmujorin e parë.

Të gjitha bizneset e anketuara vlerësuan pandeminë si faktorin me ndikimin kryesor në aktivitetin e tyre.

Për sa i takon zgjerimit të veprimtarisë apo rritjes së investimeve, bizneset e mëdha raportuan një rritje të lehtë për periudhën.

Gjysma e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklaruan se e kanë financuar veprimtarinë e tyre nëpërmjet shitjeve. Ndërkohë, prirja e kombinimit të burimeve të financimit vijon të zërë një peshë të konsiderueshme.

Anketimi tregon se gjatë kësaj periudhe pesha e bizneseve huamarrëse është rritur. Rreth 41 % e totalit të ndërmarrjeve që i janë përgjigjur pyetësorit deklaruan se kanë aktualisht hua për të paguar: kjo peshë ka shënuar një rritje me 1.7 % krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 4.2 %  krahasuar me një vit më parë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.