Vijon pa ndërprerje puna për ndërtimin e urës së re mbi lumin Drin me gjatësi 310 m dhe lartësi 50 m

TIRANË, 3 maj /ATSH/ Punimet për ndërtimin e urës së re mbi lumin Drin në Kukës, pjesë e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, po vijojnë me ritme të larta.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga kantieri i punimeve për ndërtimin e kësaj ure.

“Vijon pa ndërprerje puna për veprën e munguar të Rrugës së Kombit, Urën e Madhe të Kukësit mbi Drin. Ura do të jetë e varur në 310 m gjatësi dhe struktura e saj mbajtëse kryesore, do të jetë një element mbresëlënës prej çeliku special, me hapësirë 270 m dhe lartësi 50 m”, shprehet Rama.

Ura do të jetë një vepër arti arkitekturore, me dy bazamentet prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.