Përkujtohet 100-vjetori i lindjes së mësuesit Vasil Kamami/ Kushi: Model frymëzimi për brezat

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, mori pjesë në simpoziumin e organizuar në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Vasil Kamamit, mësuesit dhe drejtuesit të nderuar të Shkollës Normale, që jetën e tij ia kushtoi edukimit të brezave.
“Figura si Vasil Kamami janë yje që nuk shuhen asnjëherë dhe shërbejnë si modele frymëzimi për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave tona, për përgatitjen, përkushtimin, përgjegjshmërinë dhe përkujdesjen si një prind i dytë për nxënësit e tyre”, – tha Kushi.
Ministrja Kushi thekson se “është detyrë e jona për të çuar përpara misionin e tyre fisnik të arsimimit të brezave si dhe avancimin e programeve të mësuesisë, me qëllim lartësimin e vazhdueshëm të figurës së nderuar të mësuesit, sepse ai përgatit jo vetëm profesionistët e aftë të së ardhmes, por edhe qytetarët e mirë dhe të denjë të kombit”.
Vasil Kamami lindi më 1 maj 1921 në një familje elbasanase. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm shkollën Normale fitoi vendin e parë në një konkurs të Ministrisë së Arsimit për të vijuar studimet në Itali. Në 1945 filloi punë në Liceun e Korçës e më pas në Normalen e Elbasanit. Ai ka botuar në shtypin pedagogjik e periodik të kohës mbi 60 artikuj. Kamami u nda nga jeta në 16 mars 1991.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.