Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Medias/ Kim dhe Soreca: Demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione të sakta

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, SHBA riafirmon mbështetjen për lirinë e shtypit dhe për sigurinë e gazetarëve dhe punëtorëve të medias në të gjithë botën, përfshirë Shqipërinë.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim u shpreh sot se “demokracia kërkon liri të shprehjes dhe qasje në informacione faktike dhe të sakta të siguruara nga media të pavarura”.

“Media e pavarur është thelbësore për demokracitë e gjalla dhe të qëndrueshme. Gazetaria ka një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen në pah të shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe në shpërndarjen në publik të informacionit të besueshëm. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, ne falënderojmë gazetarët dhe punonjësit e medias në të gjithë botën”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca shprehet se lira e shtypit është themeli i shoqërive demokratike dhe mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara.

Soreca thekson se liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë.

“Liria e shtypit është një gur themeli i shoqërive demokratike, e cila mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara. Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”, shkruan Soreca

Ndërsa në një postim në rrjetin social facebook, Delegacioni i BE-së në Tiranë thekson se, “në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit falënderojmë të gjithë gazetarët shqiptarë, të cilët përmes punës së tyre të palodhur dhe të guximshme sigurojnë informacione të besueshme dhe të sakta, veçanërisht në kohën e pandemisë COVID 19. Liria e shtypit është thelbësore për të ardhmen e paqes, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë”.

/m.m/ /a.g/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.