Vijon vaksinimi antikovid/ Të moshuarit shprehin mirënjohje, Rama: Nderi i gjithi i yni


TIRANË, 1 maj/ATSH/ Që nga nisja e fushatës kombëtare të vaksinimit antikovid “Shqipëria buzëqesh”, në vendin tonë janë kryer mbi 476 903 vaksinime.

Kryeministri Edi Rama ndau sot një video ku të moshuarit shprehin mirënjohjen e tyre për kryerjen e vaksinës.

“Nderi është i gjithi i yni! Rrofshi sa malet”, tha Rama, ndërsa theksoi se vaksinimi nuk ndalet.

“Po bëjmë vaksinën e dytë, të parën e mbaruam dolëm mirë”, tha njëri prej të moshuarve.

“Rrofshin që po na bëjnë këto vaksinat që të mbrohemi nga COVID-i”, u shpreh një tjetër.

“Jemi shumë krenarë, jemi shumë të kënaqur”, tha një tjetër i moshuar.

“Me sinqeritet, jemi shumë në rregull, jemi të kënaqur”, tha një i moshuar.

Një tjetër i moshuar që ndodhej pranë qendrës së vaksinimit masiv të ngritur në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet falënderoi qeverinë që po interesohet për të moshuarit.

“Rroftë qeveria që po na i bën këto”, tha një tjetër, ndërsa vlerësoi organizimin shumë të mirë të procesit të vaksinimit.

“Sot e bëra vaksinën e dytë. Faleminderit që na dhanë këtë mundësi!”, tha një tjetër.

“Mirë ka vajtur, jemi shumë të kënaqur”, u shpreh një i moshuar.

“Jam e kënaqur se e bëra edhe këtë dozë. Do jem e mbrojtur dhe do të takohem më shpesh me fëmijët, me të afërmit me të gjithë njerëzit e mi”, tha një tjetër e moshuar.

Vetëm ditën e djeshme, në gjithë vendin janë kryer 23 655 vaksinime antikovid.

Procesi i vaksinimit masiv po vijon në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.

Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.