Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve/ Mesazhet

TIRANË, 1 Maj/ATSH/ Autoritete shtetërore dhe politike kanë uruar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Gramoz Ruçi, duke përshëndetur sot të gjithë punëtorët e Shqipërisë, nënvizon se do të punohet për të shtuar masat financiare e fiskale për të mbështetur punën dhe njerëzit e punës.

“Sot është 1 Maji, dita  të nderojmë njerëzit më të mrekullueshëm, punëtorët. Sot Ju drejtohem me respekt ju, punëtoreve e punëtorëve, që me djersën dhe punën tuaj siguroni mirëqenien e familjeve, rrisni e edukoni fëmijët dhe kontribuoni në zhvillimin e Shqipërisë”,-thekson Ruçi.

“Ju përulem ju, grave e burrave të Shqipërisë,  që punoni në kantieret e ndërtimit, fasoneritë, fabrikat, spitalet, serrat, arat, bizneset e vogla dhe kudo ku punohet, ndërtohet, prodhohet e shërbehet”,- tha Ruçi.

“Nderoj ju, pensioniste e pensionistë të dashur, që keni ndërtuar Shqipërinë, dhe nuk e fsheh pengun që ne nuk kemi mundur ende që respektin që ushqejmë për ju tjua kthejmë me pensione, kushte e shërbime sa më të mira, siç dëshirojmë ne dhe ju. Sot jemi të gjithë punëtorë. Sot rikujtojmë se vlerat e punës janë mbi gjithçka”,- vijon Kryetari i Kuvendit.

“Puna është motori që shtyn përpara ekonominë, rrit mirëqënien e familjeve, lufton varfërinë dhe krijon mundësi e shanse për brezin e ri. Energjia, talenti, shpirti krijues dhe vendosmeria kanë ndërtuar themelet e mirëqenies, lirisë dhe arritjes së lumturisë për brezat e shqiptarëve”,- nënvizon Ruçi.

“Punëtorët janë patriotët, qytetarët e prindët më  të mirë. Asgjë nuk e forcon Shqipërinë më shumë sesa puna, asgjë nuk i edukon më mirë fëmijët sesa dashuria për punën. Shqipëria progreson vetëm nga puna dhe njerëzit e punës. Asgjë nuk e nderon më shumë Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërisë sesa kujdesi për njerëzit e thjeshtë dhe të punës”,- shprehet më tej Ruçi.

Sipas tij, “lehtësimi i jetës dhe përmirësimi i mirëqenies suaj nëpërmjet uljes së taksave, rritjes  ekonomike, hapjes së vendeve të punës, rritjes së pagave e pensioneve, mbetet prioriteti ynë”.

“Ne respektojmë ata që krijojnë punë dhe hapin vende pune. Por u japim më shumë respekt atyre që punojnë dhe ndërtojnë përditë ekonominë e Shqipërisë. Mendja jonë si ligjvënës e qeverisës është te puna, zemra jonë është te njerëzit e punës. Çdo punë ka dinjitet, çdo punëtor është vlerë për shoqërinë”,- tha Ruçi.

“Pagat dhe kushtet e punës duhet të ndihmojnë mirëqenien dhe ushqejnë dinjitetin e familjeve punëtore. Rritja e pagës minimale në 40 mijë lekë, rritja  e pensioneve dhe dyfishimi i bonusit për pensionistët nuk janë privilegje, por plotësimi i detyrimeve ndaj tyre. Dinjiteti i pagave dhe kushteve të punës dëfton integritetin e shoqërisë.  Zerimi i taksave për pagat e ulta, ulja e taksave për pagat e tjera si edhe zerimi i tatim-fitimit dhe tvsh për biznesin e vogël për nje periudhë 10-vjeçare janë masa për të mbështetur njerëzit punëtorë të këtij vendi”, vuri në dukje kreu i Kuvendit.

“Ju treguat një shpirt të lartë qëndrese në përballimin e pasojave të pandemisë, të cilët rënduan në mënyrë të veçantë te ju dhe fëmijët tuaj. Kuvendi dhe Qeveria do të bëjnë më të mirën që dalja nga pandemia e të lehtësohet e përshpejtohet dhe ju të gëzoni në familjet tuaja.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në përshëndetjen me rastin e 1 Majit”,- përfundon Ruçi.

Presidenti Meta: Dita e punëtorëve e gjen Shqipërinë me pagën më të ulët në rajon dhe në Europë

Presidenti Ilir Meta, në ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka vënë në dukje se Shqpëria ka pagën më të ulët në rajon dhe Europë.

“Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, edhe këtë vit, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë, ndërkohë që fuqia punëtore e kualifikuar vazhdon të largohet masivisht, në mungesë të të ardhurave të mjaftueshme, të kushteve më të mira e më dinjitoze të punës dhe pa shpresë për një të ardhme të afërt më të sigurt”,- tha Meta.

“Tërmeti dhe pandemia, me efektet e tyre negative dhe afatgjafa në ekonomi, mbyllën me mijëra vende pune, kryesisht biznese të vogla e të mesme, duke e dëmtuar rëndë mirëqenien e familjeve të punëtorëve të thjeshtë, thelluar ndjeshëm mjerimin në shoqëri dhe frenuar zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”,- shton Meta.

“Propaganda e të ushqyerit me lugën bosh dhe e suksesit ekonomik me video 3D na rendit sot të dytëve pas Gjermanisë, por është fakt se shumë mjekë, infermierë dhe specialistë po zhvendosen në Gjermani dhe në vende të tjera të BE për një jetë më të mire”,- vijon Meta.

“Ndërsa kjo situatë duhet të shërbejë për një reflektim të thellë dhe kur niveli i popullsisë që jetojnë me 5.5 USD/ditë është rritur me 41.5% është koha të veprojmë të gjithë së bashku për të dëgjuar zërin e punëtorëve, duke rritur mirëqenien dhe drejtësinë sociale të munguar”,- vë në dukje kreu i shtetit.

Balla: Shqipëria, hapa të rëndësishëm në trajtimin më të mirë financiar, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë në punë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka uruar shqiptarët me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve. Balla shprehet se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në trajtimin më të mirë financiar, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë në punë.

“Edhe pse në Shqipëri kemi bërë hapa të rëndësishëm në trajtimin më të mirë financiar, përmirësimin e kushteve dhe rritjen e sigurisë në punë, jemi të vetëdijshëm që më shumë duhet të bëjmë gjatë këtij mandati të ri që ne socialistëve na besuan shqiptarët. Respekt për çdo punëtor shqiptar!”, u shpreh Balla.

Si lindi dita ndërkombëtare e punëtorëve

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës. Ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version