Protesta tek selia e PD/ Kadilli: Bashën e kam mbështetur me vetëmohim, por nuk qe i zoti të na drejtojë në fitore

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Humbja në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit kanë sjellë pakënaqësi në selinë e Partisë Demokratike, si dhe protesta kundër lidershipit të Bashës.

Anëtarë të Kryesisë së PD, kanë kërkuar largimin e kreut të Demokratëve, Lulzim Basha nga posti i kryetarit, madje Fatbardh Kadilli ka shpallur të premten në mëngjes, kandidaturën për postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

Në një konferencë për median nga ambientet e jashtme të selisë PD-së, anëtari i kryesisë të kësaj partie, Kadilli tha sot se Lulzim Basha duhet të largohet dhe se brenda Partisë Demokratike duhet të kemi një proces për lidershipin e ri të drejtimit të kësaj force politike. Kadilli akuzoi se, edhe pse anëtar i Kryesisë së PD, nuk u lejua që konferencën e tij ta mbante në ambientet e selisë, duke thënë se “barrikada” para portës së PD është e tepërt. Për Bashën ai tha se e ka mbështetur me vetmohim, por “nuk qe i zoti të na drejtonte në fitore”.

“Zgjedhjet ishin dhe mbeten të pandershme. Pushteti përdori çdo mjet për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Provat e kapura dhe të dokumentuar që do publikohen së afërmi, vetëm sa provojnë fenomenin. Beteja ligjore nuk duhet të shërbejë për radikalizim politik, çdo tensionim është i qëllimshëm, nuk i shërben interesit të demokratëve dhe as shqiptarëve”, – vuri në dukje Kadilli.

“Barrikada para portës nga ku Basha u betua se nuk dorëzohet, është i tepërt. Kërkoj mirëkuptimin e të gjithë anëtarëve të PD të trishtuar nga humbja, jam këtu për të rikonfirmuar vendimin tim për të kandiduar për kryetar të PD, për t’i kërkuar Bashës dorëheqjen. Ka shteruar dhe nuk jep më opsion për të ardhmen, E kam mbështetur me vetëmohim për të na drejtuar në fitore. Nuk ja doli, nuk diti, nuk qe i zoti. Këtë deklaratë në këtë udhëtim që kam nisur dëshiroja ta bëja në ambientet e PD, kam kërkuar hapësira, por si njeri që ka hapësirën e vetëm në partinë e lirisë. Shpresoj që këto të jenë keqkuptime dhe të zgjidhen shpejt dhe tu flasë anëtarëve nga selia. Nuk dua të hy në partinë time vjedhurazi, por si një njeri që ka hapësirën e tij të lirisë. Është problemi i Bashës nëse shqiptarët nuk zgjedhin atë para thesit të miellit”, tha ai.

Kadilli tha se “nuk bëhet fjalë për shqetësim të natyrën emocionale por thjesht politike. Unë nuk i kam hyrë kësaj rruge si një grup kundër një grupi por si një projekt i dështuar me një projekt të ri”

Ai iu përgjigj edhe skeptikëve. Atyre që i thanë se ka qenë spektator në këto zgjedhje Kadilli i dha këtë përgjigje “Kam qenë shumë i sinqertë me zotin Basha dhe jam i bindur se çfarë i kam parashikuar ka ndodhur. Janë të paktën 4 qarqe ku kam kontribuar dhe rezultati është i mirë. Mund të pyesni Bashën. Nuk kam qenë spektator. Janë 4 qarqe ku Basha e unë kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë”

Protestë para selisë së PD/Elezi: Basha duhet të shkarkohet, të hapet një proces zgjedhor brenda PD

Kryedemokrati Lulzim Basha duhet të largohet nga posti i kreut të PD dhe brenda kësaj force politike duhet të hapet një proces zgjedhor në mënyrë që të zgjidhet kreu i ri i saj.

Ibsen Elezi, ish-kryetari i Partisë Demokratike në Kukës, vijon të drejtojë protestën e nisur prej pak ditësh në selinë e Partisë Demokratike, ku kërkohet largimi i Bashës nga posti i kreut të PD.

Elezi ndër të tjera deklaroi se, grupi që ai përfaqëson do të mbledhë disa firma për të kërkuar shkarkimin e Bashës. Elezi tha se ato duhet të hapin një proces zgjedhor brenda PD-së, në mënyrë që të zgjidhjet kreu i ri kësaj force politike.

“Jemi detyruar që për shkak të festave do ta ndërpresim. Nëse PD merr rrugën e LDK-së dhe përfundon me 10 % është në dëm të shqiptarëve. Fakti që Lulzim Basha duhet të tërhiqet të hapet procesi zgjedhor dhe në garë të fitojë ai që e meriton. Do të mbledhim firma për të treguar revoltën tonë. Do të bëjmë takime në rrethe për të mbledhur firma për të treguar se duhet shkarkuar Basha”, – tha Elezi.

Hoxha: Basha nuk po konteston zgjedhjet, por thjesht po mbron karrigen e kryetarit

Ish-deputeti demokrat Fatos Hoxha shprehet se Lulzim Basha nuk po konteston zgjedhjet, por thjesht po mbron karrigen e kryetarit.

Hoxha rendit një sërë paradoksesh tek PD, ndërsa thotë se Lulzim Basha është ai kryetar partie që nuk ka as lirinë për të dhënë dorëheqjen.

Sipas tij, Basha shfaqet si kalorës i votës së lirë, por garës së ndershme i mbyll çdo shteg. Paradokset demokratikase. Fjalorët e shpjegojnë paradoksin si një deklarim që vjen në kontradiktë me vetveten.

Rezultati i zgjedhjeve në Shkodër është një shembull rezëllyes në errësirën e “manipulimit industrial” që i dogji përsëri ëndrrën kryeministrore Bashës.

PD e Shkodrës pati rritje si në vota edhe në mandate. Ajo e mbrojti votën nga blerja dhe manipulimi.

Nëse në Shkodër janë blerë votat, ato vota i ka blerë Tom Doshi në kurriz të PS, e cila pësoi aty një humbje historike (këtë thonë analistët).

Në Shkodër nuk patën asnjë ndikim alternativat e tjera të djathta. Ato nuk e përçanë dot elektoratin e PD.

PD e Shkodrës duhet të ishte krenare për vete dhe për popullin e Shkodrës që e votoi masivisht, sikurse duhet të ishte e tërbuar me Bashën dhe lidershipin e qarqeve të tjera që humbën turpërisht edhe këtë herë.

Por PD e Shkodrës është publikisht me Bashën dhe kundër zgjedhjeve. A nuk është ky një paradoks?

Basha realizoi në këto zgjedhje një ngritje të fortë.

Dhjetë (10) pikë përqindje më shumë janë një shifër serioze. Çdo lider politik do ishte krenar për këtë rezultat, do t’a ndjente veten fitues. Basha e ka këtë rezultat, rezultatin më të mirë të karrierës së vet politike, ndoshta të pa arritshëm për të.

Por Basha po denoncon pikërisht këtë rezultat dhe po përgatit kontestimin e radhës.

Të jesh përpara arritjes tënde më të madhe në jetë dhe ta kontestosh atë, a nuk është dhe ky një paradoks?

Sjellja e PD të Shkodrës nuk është paradoks, se deklarata e saj nuk është shkruar në Shkodër, por në Tiranë.

Edhe kontestimi i zgjedhjeve nga Basha nuk është paradoks, sepse në fakt ai nuk po konteston zgjedhjet, thjeshtë po mbron karriken e kryetarit.

Paradoks është:

– të jesh kalorës i votës së lirë, por garës së ndershme t’i mbyllësh çdo shteg;

– të jesh lider, por udhëheqësin ta kesh vartës;

– të jesh kryetar partie, por mos kesh lirinë për të dhënë as dorheqjen;

– të jesh lider humbës dhe të duash të rikandidosh;

– të jesh humbës të rikandidosh dhe të fitosh;

– të jesh me Berishën dhe të kërkosh dorëheqjen e Bashës;

– të kërkosh që Basha të rrijë në krye dhe të pretendosh se ai herën tjetër do ta mundë Ramën;

– Të luftosh për votën e lirë, por aleancat t’i bësh me Metën dhe LSI;

– të jesh me bythët përtokë, por të presësh që ringritja të të vijë nga Basha;

– të jesh me bythët për tokë, por të presësh që ringritja të të vijë nga Berisha;

– Të jesh demokrat, por zgjidhjet t’i presësh vetëm nga Doktori.

Dikur, Genc Pollo e quante aradhën e demokrateve që ishin gati ta linçonin pse kish nisur t’i bënte karshillëk Doktorit “demokratikas”, si për t’u thënë “të papjekur”, “axhamij”, “të parritur”. Kanë kaluar 20 vjet nga ajo kohë.

Paradokset që na shoqëronin atëhere po na shoqërojnë edhe sot.

Të kemi ngelur “demokratikas” vallë?”, u shpreh Hoxha.

Nsërkaq njoftohet se lideri i PD, Lulzim Basha do të mbledhë ditën e sotme drejtuesit politikë në selinë blu.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit nxorën fituese Partinë Socialiste me në krye Edi Ramën, me 74 mandate, përkundrejt 59 mandateve të Partisë Demokratike dhe Aleancës për ndryshim. 4 mandate i fitoi Lëvizja Socialiste për Integrim, teksa Partia Social Demokrate arriti të marrë 3 mandate.

Sakaq njoftohet se lideri i PD, Lulzim Basha do të mbledhë ditën e sotme drejtuesit politik në selinë blu.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.