KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren Evjeni Sinojmeri

TIRANË, 30 prill/ATSH/ Evjeni Sinojmeri, gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, është shkarkuar këtë të premte në mëngjes nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi nuk e kaloi sitën e Vetingut.

Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin, njoftoi se Sinojmerit i ishte kërkuar disa herë të paraqitej apo paraqiste një mbrojtës, por ajo nuk ishte përgjigjur dhe as kishte marrë në dorëzim materialet e dosjes.

KPK konstatoi se Sinojmeri nuk justifikonte pasurinë e për pasojë trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifkimit vendosi shkarkimin e saj nga detyra. Sinojmerit nuk iu gjetën probleme në pastërtinë e figurës dhe as në profesionalizëm, përpos shkeljes së lejes dhe mungesës së saj në gjykatë për gati 1 vit.

Seanca dëgjimore ndaj Sinojmerit u zhvillua të mërkurën pa praninë e saj dhe pa një përfaqësues ligjor. Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit në Tiranë e shortuar në vitin 2018  për t’iu nënshtruar procesit, nuk u paraqit në seancën dëgjimore në KPK me justifikimin e pandemisë, ndërsa Komisioni tha se ajo nuk ishte përgjigjur barrës së provës mbi problemet e pasurisë dhe kishte shkelur me 1 vit lejen e ish-KLD-së duke mos u paraqitur në punë.

Evjeni Sinojmeri ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, ku ka mbajtur pozicionin e anëtares se Gjykatës së Lartë nga viti 2001 deri në vitin 2010. Në vitet 2011-2013, zonja Sinojmeri ka punuar si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë dhe prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Në shkurt të vitit 2018, Sinojmeri u shkëput nga ushtrimi i funksionit pasi mori një leje 2-vjeçare nga KLD për shkëputje të përkohshme nga detyra. Në mars 2021, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi një kërkesë të subjektit për zgjatjen e lejes së papaguar.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.