Durrës, vazhdon kthimi i familjeve në shtëpi të reja/ Rama: Puna ka vijuar e do të vijojë pa pushim

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Në Durrës vijon kthimi i familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në shtëpi të reja.

Kryeministri Edi Rama  i dorëzoi sot çelësin tre familjeve, dy nga Tropoja dhe një nga Burreli, që jetojnë prej shumë vitesh në Durrës, të cilat hynë në shtëpinë e re.

“Vazhdon kthimi në shtëpi të reja. Puna ka vijuar dhe do të vijojë pa pushim deri kur familja e fundit mes mijërave që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit, të gëzojë shtëpinë e re”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “bashkëqytetarët tuaj në Tropojë nuk na i dhanë votën ne, por ne do ta bëjmë Tropojën lule, edhe me më shumë inat tani që s’na i dhanë votën. Do të punojmë edhe më shumë atje”.

Kryefamiljarja e falënderoi Kryeministrin Rama për shtëpinë e re. “Shtëpia që u prish nga tërmeti ishte shumë e vjetër, tani e kemi shtëpinë të re”, – tha ajo.

Më pas Kryeministri Rama i dorëzoi çelësin edhe dy familjeve të tjera.

Familjarët e falënderuan Kryeministrin Rama për ndërtimin e shtëpive të reja, që janë më të bukura e më të forta.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.