COVID-19 – Turqia vendos bllokimin më të ashpër që nga fillimi i pandemisë

STAMBOLL, 29 prill /ATSH- DPA/ – Turqia ka vendosur një bllokim mbarëkombëtar trejavor sot në mbrëmje, bllokimi i saj më i ashpër që nga fillimi i pandemisë së COVID-19, për shkak të pamundësisë për të frenuaar rritjen e infeksioneve dhe vdekjeve.

“Masat, përfshirë mbylljen e shkollave dhe qendrave tregtare, si edhe kufizimin e udhëtimeve ndërqytetëse, fillojnë sot më 19:00 dhe do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në 05:00 më 17 maj”, njoftoi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Media lokale raportoi dyndje të banorëve në terminalet e autobusëve për të lënë Stambollin.

Të tjerët u përpoqën të dilnin nga metropoli me makinat e tyre, duke shkaktuar kilometra të tërë trafiku të zënë që nga orët e para të ditës, sipas të përditshmes “Hurriyet”.

Qendrat tregtare dhe supermarketet u tejmbushën, ndërsa njerëzit nxituan të grumbullonin ushqime, si edhe alkool, mes lajmeve për ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike.

Mbyllja mbulon edhe festën e Bajramit pas muajit të agjërimit të Ramazanit.

Turqia rivendosi kufizimet në fund të marsit për shkak të një rritjeje të shpejtë të infeksioneve.

Infeksionet e reja ditore kaluan një nivel historik prej më shumë se 60 000 rastesh këtë muaj./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.