Askush nga ata që janë identifikuar në shkelje të zgjedhjeve, nuk do mund t’i shmanget përgjegjësisë

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se, “për shkeljet në zgjedhjet e 25 prillit janë mbi 40 raste që janë identifikuar nga Policia e Shtetit dhe i janë dërguar organeve të SPAK-ut dhe Prokurorisë”.

Në një intervistë televizive Rama u shpreh se “ka një edhe rast, ku një deputet i LSI-së në Tiranë, që blinte vota me lekë në dorë  dhe që u fsheh nga policia. Pasi në praktikat e mira, nuk qënka e këshillueshme të bëhen arrestime në vend, menjëherë në mes të njerëzve, të atyre të përfshirë në blerje vote, kur janë ata vetë kandidatë”.

“Jam i gëzuar për hir të së vërtetës, edhe për faktin që nuk do të ketë mundësi t’i shmanget askush nga ata që janë identifikuar në shkelje të zgjedhjeve”- tha ai.

Rama theksoi se “PD nuk e ka mundur asnjëherë PS, veç vitit 2005″. PS, theksoi ai,  vetëm rritet.

“Në zgjedhjet e tjera, PS do të jetë mbi 850 mijë vota. Këto janë objektiva që PS i vendos mbi bazën e analizave”- tha Rama.

“Nëse PD nuk do të pajtohet me realitetin do të mundet përsëri. Faktet pranohen dhe përdoren për progres”, tha Rama.

Rama deklaroi se në zgjedhjet e 25 prillit, PS ka kapur objektivin.

“Eshtë përgjegjësia jonë që të çonim tek të gjithë votuesit tanë potencial, mënyrën  sesi të votonin, për të shmangur fletët e skualifikuara nga votimi i gabuar. Partitë janë makineri për të fituar dhe ne jemi parti e organizuar”, theksoi ai. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.