Sekuestrimi i pasurive të ish-gjyqtarëve nga SPAK/ Kim e Soreca: Reforma në Drejtësi po ecën përpara hap pas hapi

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim përshëndeti sot vendimin e Gjykatës e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për vendosjen e sekuestros për pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi.

“Gjykata Speciale pranoi kërkesën e SPAK për sekuestrimin e pasurive të dy ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe një ish-gjyqtari të Gjykatës së Lartë, të cilët dështuan në vetting për fshehjen e pasurive”, theksoi Kim.

“Reforma në Drejtësi nuk do të jetë e shpejtë, e lehtë ose e përsosur – por po ecën përpara, hap pas hapi”, theksoi ajo.

Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca përshëndeti sot vendimin e Gjykatës e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për vendosjen e sekuestros për pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve Fatos Lulo, Bashkim Dedja dhe Shkëlzen Selimi.

Soreca e cilëson si lajm të mirë pranimin nga Gjykata Speciale të kërkesës së SPAK për të sekuestruar pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe të Lartë.

Soreca thekson se ky është një hap tjetër që tregon SPAK është duke ndjekur detyrat e tij për të luftuar korrupsionin dhe reforma në drejtësi po vazhdon.

“Lajm i mirë sot që Gjykata Speciale ka pranuar kërkesën e SPAK për të sekuestruar pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve të Kushtetueses dhe të  Lartë. Një hap tjetër që tregon SPAK është duke ndjekur detyrat e tij për të luftuar korrupsionin”, thekson Soreca.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.