Basha: Blerja më e madhe industriale e votës së 25 prillit, beteja për demokraci sapo ka filluar

TIRANË, 28 prill /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër elektorale, ndërsa fajësoi kryetarin e PS-së, Edi Rama se ka përdorur para të pista për fushatë.

Basha duke iu drejtuar shqiptarëve pas zgjedhjeve të 25 prillit tha se beteja për demokracinë sapo ka filluar dhe se Shqipëria do të fitojë.

“Teksa muzgu i kësaj mbrëmjeje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë këtij vendi dhe kudo ku ndodhen. A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim, për Shqipërinë demokratike normale dhe të zhvilluar, për Shqipërinë Europiane? Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë. U deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ia dolëm. Ia dolëm, sepse jemi njerëz të fortë, jemi një popull që beson tek demokracia”, u shpreh Basha në një dalje me ekipin e fushatës nga selia e PD-së.

“Edhe këto muaj, ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do t’i kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi, sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim, që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke thyer të gjithë rregullat”, tha Basha.

“Dhjetëra-mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe medien duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale. Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë hapur me përfaqësues të krimit, si Tom Doshi, që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij”, tha Basha.

“Dhe pavarësisht gjithë kësaj, ne sollëm një arritje të madhe për demokracinë në Shqipëri. Ne u bëmë më të fortë. Ne jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se ne do të dorëzohemi, nuk na njeh mirë”, tha ai.

Në vijim, Basha tha se PD do të vazhdojë betejën me gjithë fuqinë.

“Ne do vazhdojmë të luftojmë me gjithçka kemi për demokracinë. Do vazhdojmë të luftojmë deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne. Po u dorëzuam ne, Shqipëria s’ka më asnjë mundësi. Dhe kjo nuk do të ndodhë kurrë. Dua t’ju falenderoj të gjithë ju, vëllezër dhe motra, shqiptare dhe shqiptarë kudo ku jeni. Dua të falenderoj anëtarët dhe mbështetësit tanë, ekipin tonë të mrekullueshëm dhe aleatët tanë të koalicionit, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe vullnetarët e panumërt për angazhimin e tyre të pashembullt”, vijoi ai.

“Mbi 600,000 shqiptarë votuan për ne, dhe sollën shpresë për Shqipërinë. Të rinj dhe të reja, të moshuar, gra dhe burra, nga i gjithë vendi. Ju falenderoj nga thellësia e zemrës për mbështetjen tuaj të mrekullueshme. Faleminderit për besimin tuaj! Dhe ju premtoj sot: nuk do t’u zhgënjejmë kurrë. Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra-mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk iu numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë.  Nata që ka rënë sonte do të largohet dhe dielli do të ngrihet përsëri nesër mbi horizont, dielli i shpresës për Shqipërinë. Fryma e ndryshimit është më e fortë se kurrë. Ne jemi më të fortë dhe më të vendosur se kurrë. Dhe të fortë, ne do luftojmë çdo ditë. Ne do të luftojmë çdo orë për të mbrojtur demokracinë dhe për të sjellë të gjithë bashkë një të ardhme më të mirë për vendin tonë, për familjet tona, për fëmijët tanë. Beteja sapo ka filluar dhe ne do ta çojmë atë deri në fund, deri në fitore! Demokracia do të fitojë dhe Shqipëria do të fitojë”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.