Celibashi: Në 144 qendra të votimit identifikim manual

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një komunikim për median të dielën rreth orës 14:00, tha se “në 144 qendra votimi në shkallë vendi po kryet identifikimi manual”.

Në lidhje me ecurinë e procesit zgjedhor ai theksoi se “ka pasur raste sporadike të konfliktit për administrimin zgjedhor por që e vendosin në rrezik zhvillimin dhe integritetin e këtij procesi”.

“Kemi pasur sinjalizime se në shkollën”Betim Muço” ku janë 12 qendra votimi, ka patur një grumbullim të njerëzve, gjë që është në kundërshtim me ligjin zgjedhor dhe vendimin e KQZ, ndaj bëri apel, kushdo që mbaron votimin duhet të largohet nga qendra e votimit”, tha Celibashi.

Kemi dërguar komisioner për të vëzhguar rastin, vijoi Celibashi, dhe gjithçka është normalizuar dhe po vijon normalisht procesi.

Në lidhje me pjesëmarrjen në votime, Celibashi tha se “numri 65 nga 5 199 qendra votimi, që shihni tani është numri i qendrave që kanë raportuar tani në këtë moment. Pra nuk është numri total i qendrave që kanë votuar”.

Celibashi, tha se vonesat në raportime nga qendrat e votimit në të gjithë vendin, kanë ardhur për shkak të problemeve të aplikacionit, pasi është hakuar.

“Kanë raportuar pak qendra votimit sepse aplikacioni i KQZ-së është sulmuar pak më parë. Teknikët janë duke punuar për ta riparuar, dhe nëse nuk do të rregullohet do të vijojmë me raportimin manual”, tha Celibashi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.