Zgjedhjet/ Prokuroria e Përgjithshme përfundon verifikimet për kandidatin Adrian Gjoka të Lëvizjes për Ndryshim

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Prokuroria ka përfunduar verifikimin për kandidatin për deputet të Lëvizjes për Ndryshim, Adrian Gjoka duke deklaruar në një shkresë që i ka dërguar KQZ se ai nuk rezulton të ketë gjeneralitete të tjera në gjendjen civile përveç atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Sipas shkresës së Prokurorisë së Përgjithshme, Gjoka “nuk rezulton të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga ndonjë autoritet shqiptar. Rezulton të ketë qenë person nën hetim i akuzuar për “Falsifikim dokumentesh”.

“Rezulton i dënuar me tre muaj burg nga gjykata e Tiranës për ‘Falsifikim dokumentesh’ me vendim gjyqësor jopërfundimtar. Nuk rezulton të ketë qenë i ndaluar apo i arrestuar për kryerjen e një vepre penale. Nuk rezulton me masë sigurie. Nuk ka indicie për veprimtari kriminale, për hetim apo për gjykim në një shtet tjetër, për kërkim ndërkombëtar, nuk është dëbuar, nuk ka ndryshim të të dhënave”, thuhet në dokument.

Më herët Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe për dy kandidatë të tjerë, Napolon Laska i Nismës Thurje dhe Zef Hila nga PD të cilët kanë rezultuar të pastër. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.