Zgjedhjet/ KQZ kryen shpërndarjen e fletëve të votimit në shumicën e qarqeve

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxha, ka bërë me dije se ditën e sotme është bërë shpërndarja e fletëve të votimit në shumicën e qarqeve në vend, ndërkohë që procesi pritet të finalizohet nesër, ku do të bëhet dhe shpërndarja e fletëve të votimit në qarqet e mbetura që janë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Lezha.

Hoxha tha nga Lundra ku po bëhet gati baza zgjedhore për zgjedhjet e 25 prillit, se ky proces ka filluar edhe përpara mbërritjes së fletëve të votimit në vend.

“Shpërndarja e bazës zgjedhore ka nisur me dhomat e fshehta të votimit, materialet e planit të masave antikovid dhe posterat që do të afishohen pranë qendrave të votimit për të orientuar qytetarët si do të votohet”, theksoi ajo.

“Sot është bërë transportimi i fletëve të votimit në qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Korçës, Shkodrës, Fierit, Dibrës, Kukësit dhe Beratit. Nesër do të bëhet transportimi i fletëve të votimit edhe për qarqet e Tiranës, Lezhës, Durrësit dhe Elbasanit”, tha Hoxha.

Edhe kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u shpreh se sot, përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore për qarqet Vlorë, Shkodër, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Fier dhe Berat, duke publikuar pamje nga procesi.

“Nesër do të shpërndahen materialet zgjedhore në qarqet Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Lezhë. Në çdo QV do të ketë shabllonë (për Fletën e Votimit) në alfabetin braille për votuesit që nuk shikojnë”, tha Celibashi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.