Zgjedhjet e 25 prillit/ Si duhet të plotësohet fleta e votimit që të jetë e vlefshme

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit do të votojnë me një fletë të vetme votimi, për subjektin politik dhe kandidatin për deputet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar disa nga pyetjet më të shpeshta për fletën e votimit që zgjedhësit do të kenë në dorë më 25 prill.

Konkretisht, në fletën e votimit janë të shënuara emrat e subjekteve zgjedhore (parti politike, koalicione ose kandidatë të pavarur), dhe në secilin rresht ku është shënuar emri i subjektit zgjedhor janë të shënuar në vazhdim numrat e kandidatëve të atij subjekti sipas renditjes në listën e dorëzuar në KQZ.

Po si duhet të plotësohet fleta e votimit që ajo të jetë e vlefshme?

KQZ informon se në kuadratin e bardhë përbri logos së subjektit zgjedhor (parti/koalicion), ose sipas rastit kur zgjedh edhe kandidatin, duhet të vendosësh shenjën X, ose +. Çdo shënim tjetër mundet ta bëjë të pavlefshme fletën e votimit.

Janë tri mënyrat e votimit që e bëjnë votën të vlefshme:

1. Qytetari mund të votojë vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votojë për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor.

2. Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Në këtë rast vota i shkon subjektit zgjedhor. Është gjithashtu votë edhe për kandidatin e atij subjekti.

3. Qytetari mund të votojë vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.

Kur fleta e votimit shpallet e pavlefshme?

Ndërkohë, KQZ thekson se, votuesit nuk mund të votojnë për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër.

Votuesit nuk mund të votojnë për dy subjekte zgjedhore.

Votuesit nuk mund të votojnë për dy kandidatë të të njëjtit subjekt zgjedhor.

Gjithashtu votuesit nuk mund të votojnë dy kandidatë të dy subjekteve të ndryshëm.

Monitorim me kamera i qendrave të votimit

Monitorimi me kamera i 5199 Qendrave të Votimit, sipas KQZ-së do të jetë garanci e shtuar në parandalimin e paligjshmërive, si fotografimi i votës, votimi familjar, votimi më shumë se një herë, etj.

Në total në zgjedhjet e 25 prillit janë të regjistruar 3 588 869 qytetarë shqiptarë që kanë të drejtën e votës.

Të ndarë sipas qarqeve, kryeson Tirana me 910 494 zgjedhës, për të vijuar me Fierin me 403 220 zgjedhës, Durrësin me 358 730 zgjedhës, Elbasanin me 346 948 zgjedhës, Vlorën me 318 428 zgjedhës, Korçën me 284 363 zgjedhës, Shkodrën me 272 078 zgjedhës, Beratin me 183 119 votues, Lezhën me 173 899 votues, Dibrën me 131 225 votues, Gjirokastrën me 123 270 votues dhe Kukësin me 83 027 votues.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.