Vota në 25 prill ka vetëm një drejtim, Partinë Socialiste të Shqipërisë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “kur njeriu gjykimin mbi të tashmen e lidh me arsyetimin mbi të ardhmen, atëherë patjetër që vota e tij merr të gjithë vlerën që ka dhe s’ka diskutim që ajo votë në 25 prill ka vetëm një drejtim, Partinë Socialiste të Shqipërisë”.

Në mbyllje të fushatës elektorale në Tiranë, Rama tha se “të zgjohen dhe të kujtojnë se sa herë ka pasur humbje jetësh, sa herë ka pasur plagë të shkaktuara jo nga Zoti, por nga robi, aspak çuditërisht ato lidhen me ta, gjithmonë me ta. Sot të jesh i djathtë apo të jesh kundër nesh është gjëja më normale, më e natyrshme, nëse sot si i djathtë, si kundërshtari i yni ti vërtet ia do të mirën asaj force që ende sot e mban demonin brenda, ti duhet ta çlirosh atë nga demoni duke e braktisur në 25 prill”.

“25 prilli është një ditë kur Shqipëria duhet të çlirohet njëherë e mirë nga demoni që kthehet e rikthehet në forma të ndryshme, por sa herë që shfaqet në jetën tonë ia tërheq këmbët poshtë Shqipërisë, i detyron shqiptarët të rifuten në rrethin vicioz, iu humbet kohë, iu vret shpresa dhe iu mbyll derën e së ardhmes. Ata janë rruga e të shkuarës PS është dera e të ardhmes”, – tha Rama.

“Kur njeriu shkon të votojë, përgjithësisht gjykon mbi të tashmen dhe shpesh herë e tashmja e tij e zvogëlon peshën që ka vota, sepse mund të ketë një hall që lidhet me pragun e shtëpisë. Nuk i bën përshtypje asgjë që ndryshon larg atij pragu, por pikërisht ai prag ku ndryshimi s’ka arritur akoma e bën që të thotë nuk i votoj më këta”.

“Mund të ketë shqetësim që sot do një punë më të mirë dhe nuk e ka dhe ndërkohë sheh të tjerë që kanë punë më të mira dhe thotë: ‘nuk i votoj këta’. Apo mund të ketë atë sjelljen e brendshme të shumëkujt që thotë: ‘këta janë të gjithë njësoj, nuk ia vlen të shkoj të votoj’. Kjo është vota që njeriu jep kur gjykon mbi të tashmen. Por çdokush që voton, nuk voton vetëm për vete, por ka detyrimin të votojë edhe për atë fëmijën që duhet të rritet për të votuar”, theksoi Rama.

“Kur njeriu gjykimin mbi të tashmen e lidh me arsyetimin mbi të ardhmen, atëherë patjetër që vota e tij merr të gjithë vlerën që ka dhe s’ka diskutim që ajo votë në 25 prill ka vetëm një drejtim, Partinë Socialiste të Shqipërisë”, tha Rama.

“Unë i kuptoj, sado që e di që shumëkush prej tyre nuk më beson, por unë i kuptoj të gjithë ata që janë të pakënaqur”, tha Rama.

“Po thoja që po nuk filloi shiu, ne kemi një problem. Ja, filloi. A e dini pse filloi? Që ne, po jo vetëm ne, po e gjithë Shqipëria të mos harrojë, dhe ka shiu gjithë këto ditë që bie, e bie, e bie për të paralajmëruar breshërin e madh mbi kutitë e votimit në 25 prill. Dhe zgjedhja e secilit është të bëhet pjesë e atij breshëri, apo të qëndrojë në atë karvanin që gjithmonë e më shumë duket si i dalë nga filmi “Koncert në vitin ’36″”, theksoi Rama.

“Ju kujtohet ai plaku, ai plaku i ‘Koncertit’ që i jepte gaz për të prishur koncertin. Ai është në Lalëz, që kur u xhirua ai filmi, iku në Lalëz dhe është bërë gogol dixhital. Por s’është vetëm ai, është edhe komshiu i tij i Lalëzit. Ai është bërë si ato çingijet, që vini rrotull marmidës për të tërhequr njerëzit drejt vetes dhe për t’i thënë kthejani kurrizin atij koncerti. Kthejani kurrizin muzikës, kthejani kurrizin shpresave dhe ëndrrave, kthejani kurrizin Europës dhe shijes së saj dhe ejani në vallen e batakut dhe të batakçillëkut”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.