“Tani është kurdisur Luli, sikur sapo ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vjet që bën opozitë”

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “nëse unë nuk do të isha i pakënaqur, nuk do të isha sot këtu”.

Duke marrë fjalën në takimin përmbyllës të fushatës elektorale për Tiranës, Rama tha se, “cili nga prindërit nuk zgjohet në mëngjes me pikëpyetjen se çfarë do të bëj sot për familjen time? Çfarë do të bëj sot për fëmijët e mi? Çfarë do të ndodhë nesër? Kush është ai prind që bie të flejë pa e sjellë në mend të gjithë ditën që iku dhe gjërat që bëri, apo nuk i bëri dot, dhe pa i thënë vetes nesër në mëngjes duhet të çohem herët, se është për t’u bërë kjo e kjo? Askush. Të jesh prind do të thotë të jesh i pakënaqur. Prindërit e kënaqur nuk mund ta mbajnë familjen e bashkuar dhe nuk mund t’i rrisin fëmijët karaktere të forta dhe të vendosura”.

“Nëse do të isha i kënaqur dhe do të ndihesha i përmbushur me detyrën time ndaj vetes, njerzëve ndaj të gjithë atyre që më besuan, pse duhet të isha unë këtu sot?” – tha Rama.

“Kurrë mos pranoni të udhëhiqeni nga dikush që është i kënaqur, kurrë mos besoni ata të cilët e kanë të shkruar në ballë që kanë një jetë pa teklif, që nuk duan të dinë se u gdhi. Por presin që dielli të nxehet dhe t’u hapë sytë, apo që mezi presin të errësohet e të shkojnë të flenë. Ata të cilët politikën e dinë një shfaqje vetëm kur iu vë kamerat përpara, ata të cilët kur duhet t’u kërkojnë votën njerëzve u thonë: erdha t’ju shoh në sy, erdha të jem zëri juaj. Dhe mbasi mbaron fushata ua lënë takimin tek tramvaji i Tiranës”, – u shpreh Rama.

Rama theksoi se “sot është dita për të kuptuar se jemi në një udhëkryq shumë të rëndësishëm dhe kush voton në 25 prill, nuk voton për hallin, problemin sado të madh e ka dhe që është i tij, por voton për një gjë më të madhe. Voton për t’i dhënë një shtysë tjetër këtij vendi, në mënyrë që edhe ato hallet e tij të mund të zgjidhen, sepse ne nuk po vijmë nga pushimet këtu. Ata po vijnë nga pushimet, pasi u torrovisën me vite nëpër Shqipëri duke i braktisur detyrat, duke braktisur punët e duke çoroditur dynjanë me lloj-lloj idesh të çuditshme dhe planesh të marra”.

“Tani është kurdisur Luli, – vijoi Kryeministri, – dhe shfaqet si njeriu që po mendon më thellë. Shfaqet si njeriu që ka detyrimin t’i ndalojë njerzit të ikin jashtë që të rrinë këtu me të, që do ta fusë Shqipërinë në BE për 4 vjet dhe shikojeni edhe në fytyrë, ky sikur sapo ka dalë nga sauna, jo sikur ka 8 vjet që bën opozitë atje, sepse kështu është e vërteta. Ndërkohë që ne dhe të gjitha familjet shqiptare nuk po kthehen nga pushimet, apo po dalim nga sauna. Por po dalin nga një tunel rraskapitës i cili për ne shqiptarët u hap më përpara sesa për botën, nga një goditje shkatërruese që erdhi nga lart, si për të na thënë ne: ej, boll, boll mbollët të keqen brenda shtëpisë tuaj, se unë kur bëra Shqipërinë e bëra me kënaqësinë më të madhe në vendin tuaj të vogël. Vura dy dete, vura male me borë dhe ju lashë mbi tokë një diell që të ngrohet çdo pllajë gjatë gjithë vitit. Boll, se ju kam dhënë gjithë ata lumenj, jeni populli që keni më shumë ujë, aty në vendin tuaj të vogël, se gjithë Europa. Boll, se keni gjithë ato liqene dhe pyje”.

Rama solli në vëmendje edhe solidaritetin e shqiptarëve dhe botës mbarë për të përballuar fatkeqësinë nga tërmeti.

“Ndërkohë ne u bëmë bashkë. Solidariteti i shqiptarëve me ata që humbën shtëpitë ishte i pari, pastaj erdhën edhe miqtë e partnerët tanë, E pra ne nuk duhet të bëhemi bashkë vetëm kur i shohim të vdekurit përpara syve, vetëm kur i shohim të plagosurit përpara syve, neve duhet të bëhemi bashkë. Ne nuk jemi një brumë frikacakësh, ne nuk jemi një brumë hileqarësh, ne jemi brumi i atyre që na kanë lënë amanetet dhe jemi brumi atyre të cilëve do t’u lëmë Shqipërinë fëmijëve tanë.

S’mundet ne të ndihemi të lodhur, të mpirë, të jemi të pafuqishëm kur ne shikojmë se po arrijmë majën dhe është e gjitha në dorën tonë, në zemrën tonë për tu ngjitur”, – tha Rama.

Ai tha se, “më pas, tamam kur Shqipëria dhe shqiptarët buzëqeshën, sepse u mblodh bota mbarë, u mblodhën miq nga ishin e nuk ishin edhe filluam rindërtimin, përsëri erdhi goditja tjetër, e dyta, erdhi për gjithë botën, por për ne ishte e tepërt. U mbyll bota brenda e ne nuk jemi Gjermania e Amerika, ne nuk hyjmë tek më të fuqishmit, tek më të pasurit, Por pikërisht pse jemi nga ai brumi nga i cili janë gatuar të gjitha ato histori shqiptare me të cilat krenohemi të gjithë, gjithë ato këngë për të cilat krenohemi, gjitha ato rrëfime ne nuk u dorëzuam dhe sot ne jemi lart. Sot ne hyjmë në atë kategori vendesh që janë kampionë në ligën e luftës kundër armikut të padukshëm”.

“Sot ne po e shohim daljen e tunelit më shpejt sesa shumë të tjerë, më të fortë, më të pasur sesa ne. A nuk është kjo një arsye, dreqi e mori, që t’i themi vetes jo vetëm kur halli i madh na e kërkon, por kur fëmijët tanë na e kërkojnë, ne duhet të vazhdojmë të ngjitemi, sepse dalja nga tuneli i kësaj pandemie ka sjellë sërish diellin, dhe ne sot nuk jemi si ata që dalin nga një rrugët rraskapitëse, i kanë këmbët të drobitura e kokën të trullosur e mezi ecin e nuk dinë ku shkojnë, ne sot kemi përpara nesh projekte të shumë dëshira në vite për të ecur përpara”, – deklaroi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.