Struktura e mbrojtjes së votës në PD me ish-policë/ Bushati: Të ngjashme me forcat SS të ngritura në kohën e Nazizmit në Gjermani

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, e quajti një formacion paramilitar të ngjashëm me forcat SS të ngritura në kohën e nazizmit në Gjermani, Strukturën e Mbrojtjes së Votës të ngritur nga Partia Demokratike, një ditë pasi një pjesëtar i saj është akuzuar si autori i dyshuar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

“Partia Socialiste është e ndërgjegjshme për rolin që ka në shoqërinë shqiptare si forca politike më e madhe në Shqipëri. Ngjarja në Elbasan është e rëndë dhe me një sfond politik. Ajo që dëgjuam ishte justifikimin i një vrasjeje nga përfaqësuesi i PD. Nuk mund të ketë trupa paramilitare. Ajo që ka ngritur PD dhe që e thotë me aq krenari është si SS e ngritura në kohën e nazizmit të ndërtuara nga Hitleri. Trupa me armë që bëjnë vetëgjyqësi. Nuk ka kapacitet asnjë nga PD të bëjë policin, prokurorin dhe gjykatën”, – u shpreh Bushati gjatë një interviste televizive.

Në Shqipëri, theksoi ai, nuk ka dënim me vdekje dhe për vepra penale që dënohen për 3-6 muaj, nëse provohen dhe thotë gjykata dënohen, ti nuk mund t’i marrësh jetën tjetrit.

“Nëse PD u jep armë ca njerëzve dhe i çon në një qytet tjetër dhe i thotë dilni në rrugë, atëherë çfarë prisni të ndodhë”, tha Bushati.

“Nuk ka strukturë të tillë asnjë në botë që të armatosi qytetarë për mbrojt votën dhe ngjarja ka ndodhur është vrarë një njëri një mjek. Nuk është kjo mënyra. E dënojmë tërësisht këtë ngjarje dhe shitblerjen e votës. Episode si këto tregojnë fytyrën e vërtetë të partive politike. PD nuk po dënon vrasjen, ndërsa po përpiqen të justifikojë këtë vrasje”.

“Jemi një vend në NATO dhe pretendojmë të kryejmë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ti ke trupa të armatosura për të mbrojtur votën në imagjinatën tënde, nuk është parti politike kjo është forcë paramilitare naziste”.

“Ky është rast i dënueshëm dhe PD duhet të distancohet, theksoi ai.

“Nuk ka pasur situatë të tensionuar zgjedhore, rastet janë me një sfond politik të veshur nga opozita se ju duhet të justifikim për ditën e humbjes. Kjo është ajo që shihet. Një president që ka marrë rolin e kryeopozitarit që përpiqet të bëjë eksplozim në çdo situatë sado pa lidhje apo periferike. Çdo institucion i policisë duhet të hetojë çështjet. T’i lihet institucioneve përkatëse të hetojë çdo rast”, – tha Bushati.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.