Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit/ Komisioni i Ekonomisë rrëzon dekretin e Presidentit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave rrëzoi sot dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit ”Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.

Ligji, sipas kreut të komisionit, Anastas Angjeli, pritet të sjellë një përmirësim të mbrojtjes së konsumatorëve, reduktimi të automjeteve që qarkullojnë të papajisur me policën e sigurimit, përmirësimin e afateve të procedurave për dhënien e dëmshpërblimit dhe rritjen e masës të dhënies së dëmshpërblimit.

Këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj tha se sot për sot, pagesa e siguracionit sipas historikut të aksidenteve është i pazbatueshëm.

Por, për mazhorancën, ky argument i Presidentit konsiderohet si opinion dhe nuk ka bazë juridike për shkelje kushtetuese.

“Në këtë argumentim të dekretit, nuk ka asnjë referencë se cilin nen të Kushtetutës ka shkelur Komisioni i Ekonomisë gjatë shqyrtimet. Ka vetëm interpretime”, u shpreh Angjeli.

Ky projektligj, veç bonus-malusit synon të rregullojë edhe afatet për pagesat e dëmshpërblimeve nga aksidentet dhe të rrisë gjobat për shoqëritë e sigurimit që shkelin ligjin. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.