Shqiptarët të dielën të varrosin fantazmat në librat e historisë/Basha vajti në Kavajë dhe bëri Saliun si gjithmonë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “përgjegjësia ime është që ti them popull shqiptar që ditën e dielë varrosini këto fantazma në librat e historisë mos lejoni që këta të rikthehen sepse këto që keni pare këto ditë janë fytyra e vërtetë”.

Në një emision televiziv Kryeministri Rama tha se “ajo që ndodhi dje ka filluar të gatuhet që atë ditë është një strategji për të provokuar, për të nxitur dhe rritur tension. Ata e dinë çfarë i pret në Elbasan në 25 prill ka një shprehje shumë të thjeshtë, shiko kush është nervoz dhe kush është i qetë”.

Lidhur me ngjarjen në Kavajë, Rama u shpreh se “kur ka ndodhur ngjarja e Kavajës kam bërë një prononcim dhe i kam kërkuar Lulzim Bashës që këtë çështje t’ia lërë drejtësisë dhe këtë  të mos shkoj pas Berihajit dhe Basha gjatë gjithë kësaj periudhe u përpoq të ndërtonte profilin e një europianisti u rishfaq ekzaktësisht si administrator i PD-së,  emëruar nga Saliu vajti atje dhe bëri Saliun si gjithmonë”.

“Prononcimin tjetër e kam dhënë pasi ka dalë vetë personi dhe kam marr të gjithë informacionin e nevojshëm për faktin se  ka qenë një sherr banal dhe nga ana tjetër personi nuk ka asnjë lidhje me asnjë strukturë, zyrë, shtab, me asnjë lloj forme me PS-në, por është aktivist i mirënjohur i PD-së në Kavajë dhe kam thënë kjo nuk është çështje politike”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se “po flas për PS-në, për natyrën e sherrit që është një sherr banal dhe kam thënë pavarësisht faktit se ky është aktivist i PD-së, nuk fajëson PD”.

I pyetur nëse kur ishte në opozitë në 2009 dhe 2013 a keni pasur grupe që të mbronin votën, Kryeministri  Rama tha se “flitet për zullume e rilindas ndërkohë që jemi para një kufome që ka  bërë një familje të humbasë njeriun e vet dhe që ka bërë një qytet të tërë të tronditet  nga dora e dikujt që është organizuar brenda një strukture, që nuk e them unë dhe unë nuk kam çfarë të pres drejtësinë kur del vetë PD dhe thotë po ne kemi një strukturë të mbrojtjes së votës. Do humbisni rëndë në 25 prill do habiteni”.

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.