Rama në “Fiks Fare”: Basha, ministër Shteti për relaksin, më 25 prill Shqipëria do të buzëqeshë

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ishte i ftuar sot në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku iu përgjigj pyetjeve të dy drejtuesve të emisionit, për fushatën elektorale të Partisë Socialiste dhe kundërshtarët e tij politikë.

I pyetur se sa mandate do të fitojë në 25 prill dhe nëse nuk i bën dot votat me kë do të bënte koalicion, Kryeministri Rama tha se, “në zgjedhje do të fitojmë 74-78 mandate dhe nëse nuk i bëj votat do bëj koalicion me Filipin të vij të punojë part time që t’ju ngrejë pak nivelin juve”.

Pyetjes nëse i ka mbajt të gjitha premtimet, Kryeministri Rama tha se “jo, të gjitha premtimet i kam mbajtur”.

Drejtuesit e emisionit i drejtuan Kryeministrit pyetjen nëse është gati të sakrifikojë fëmijët dhe familjen si ai (Meta) për revolucion, Rama tha se, “si mund të sakrifikohet familja dhe fëmija për tekat e tua që i quan revolucion. Për asnjë arsye nuk sakrifikohen, por për tekat e që i quan revolucion. Zakonisht kur njerëzit kalojnë në këtë fazë që janë tapë gjithë ditën sakrifikojnë gjithçka”.

Nëse do të duhej të bëhej qeveri me opozitën Bashës çfarë ministrie do t’i jepnit, i thanë drejtuesit e emisionit Kryeministrit. Rama tha se “do të bëhej Ministër Shteti për relaksin”.

Pyetjes një vaksinë përkthehet në një votë, Rama iu përgjigj se “një vaksinë përkthehet në një buzëqeshje dhe 300 mijë vaksina përkthehen në 300 mijë buzëqeshje e kështu me radhë”.

Ndërsa pyetjes nëse do të ndiznit një qiri në kishë dhe do shprehje tri dëshira cilat janë ato, Kryeministri Rama tha se “në radhë të parë do lutesha për shëndet për familjen time, në radhë të dytë shëndet për gjithë familjet shqiptare dhe në radhë të tretë do lutesha që 25 prilli të jetë fundi i atij mallkimi që i ka penguar shqiptarët sa herë që kanë pasur momentin për t’u ngritur më lart”.

Kryeministri Rama u drejtoi shqiptarëve një mesazh duke u shprehur, “popullit shqiptar do t’i thosha merreni nga “Fiks Fare” dëshirën që gjithmonë të ketë një buzëqeshje dhe gjërat të kapërcehen për një buzëqeshje. Mos kini asnjë merak, asnjë shqetësim, bëni pak durim, besim, në 25 prill Shqipëria do të buzëqeshë dhe të gjithë bashkë do të buzëqeshim”.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.