Rama: Cilido komisioner që prek një votë përfundon në burg

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se cilido komisioner që prek një votë përfundon në burg.

Gjatë një interviste në media, Kryeministri Rama e komentoi situatën në vend të lidhur me situatën e lexuar në terren nga opozita.

“Shkojnë në territor dhe e shohin që s’ka hapësira. Pastaj dëshpërohen. Unë shpresoj shumë që ky deshpërim të mos përshkallëzohet. Ne do të ruajmë qetësinë, t’u garantojmë njerëzve që të votojnë në mënyrën më të lirë e të sigurtë”, deklaroi Kryeministri.

Rama kishte një apel edhe për komisionerët, pasi ky është sistem që do të numërohet dy herë, partia dhe pastaj kandiatët.

“Cilido komisioner që prek një votë, qoftë edhe në ato numërimet për kandidatët, përfundon në burg. Kështu e ka ligji”, u shpreh ai.

Rama tha se “këta nuk e kanë kuptuar që janë të destinuar të humbasin për sa kohë nuk shikojnë veten e të vrasin e të thonë fajin e ka PS”.

Sipas tij, vetëm humbësit bëjnë diçka të tillë.

Rama komentoi edhe disa nga ngjarjet e rënda në vend.

“Këtu ka patur një forcë dhe karakter të mbrapshtë në krye të asaj force, që është gjithmonë i lidhur me vrasjet e njerëzve. Del po ky personazh e kjo force edhe te vrasja e Azem Hajdarit, edhe te vrasja e 4 mijë shqiptarëve në ‘97, edhe në bulevard i vrau po kjo forcë dhe prapë ky personazh është i përfshirë. Të gjitha këto kanë një lidhje. Është diçka, një demon brenda PD që nuk e lë PD të çlirohet dhe ndaj ajo vetëm humbet”, deklaroi Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.