PS mbyll pasdite fushatën elektorale për qarkun e Tiranës/ Rama: Asnjë frikë e asnjë ngurrim prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen


TIRANË, 22 prill/ATSH/ Partia Socialiste do të mbyllë fushatën për zgjedhjet e 25 prillit për qarkun e Tiranës, me një takim elektoral në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili tha se “në orën 6, tek sheshi i Skënderbeut, këtu në Tiranë dhe jo shi, po gurë të bien nga qielli, t’i tregojmë mbarë Shqipërisë forcën e karakterit e të pasionit tonë për Shqipërinë”.

“Faleminderit patronazhistëve tanë dhe forca, derë më derë, çdo trokitje e juaja për 12-ën e pavarësisë, 12-ën e lindjes së Partisë Socialiste, 12-ën e yjeve të flamurit të Europës, 12-ën e aritmetikës korrekte (4×3=12) është një trokitje në derën e të ardhmes”, tha Rama.

Rama tha se “asnjë frikë, asnjë ngurrim, asnjë luhatje prej atyre që kanë kapur alltiet e marrëzisë që të ndalin të pandalshmen, ngjitjen e Shqipërisë në majën ku Zoti i deshi shqiptarët kur e bekoi këtë vend të vogël me dy dete, plot lumenj e liqene, maja me dëborë e fusha me diell gjatë krejt vitit”.

“Përpara me të gjithë forcën e dashurisë për gjyshet e gjyshërit, prindërit e fëmijët dhe për këtë vend ku duhet të lemë gjurmën e krenarisë sonë për emrin shqiptar”, tha Kryeministri. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.