“PS, forca më progresiste në vend”/ Bozo: Vota është e shenjtë, duhet të shkojë në drejtimin e duhur

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryesuesja e listës së PS në Tiranë, Luljeta Bozo deklaroi sot se, vota është e shenjtë, dhe ajo duhet të shkojë në drejtimin e duhur, duhet të shkojë për PS-në që është forca më progresiste në vend.

Duke folur gjatë takimit përmbyllës të PS në Tiranë, Bozo tha se, “jam shumë krenare si gjyshe që po përfaqësoj një brez, i cili ka punuar me devotshmëri të pashoqe për vendin, një brez i heshtur, i cili ka energjinë dhe pjekurinë për të qenë këshilltar për të gjitha fushat e jetës sonë”.

“Ju ftoj të gjithëve pa përjashtim të shkojmë të të votojmë më 25 prill, sepse jemi të lirë të lëvizim në sajë të vaksinave që siguroi qeveria jonë që na e dha këtë mundësi që të gëzojmë  nipër dhe mbesa, të hyjmë dhe të dalim me njëri-tjetrin dhe të gëzojmë jetën me sa më shumë mundësi që kemi meqenëse armikun e padukshëm po e mposhtim avash-avash”, u shpreh Bozo.

“Jemi në fund të fushatës tonë dhe mendoj se ne kemi bërë një fushatë shumë qytetare, një fushatë duke respektuar rregullat, ligjet, duke vënë në qendër të vëmendjes shëndetin e njeriut dhe mirëqenien e tij”, theksoi Bozo.

“Fushata jonë ka qenë një fushatë brenda rregullave duke pasur gjithmonë në vëmendjen tonë që të respektojmë njëri-tjetrin, të respektojmë gruan, nënën, motrën, brezat e vjetër, të rinjtë dhe të gjithë ata që do ta çojnë përpara vendin tonë”, tha Bozo.

“Si gjyshe dhe shkencëtare mendoj që ne nuk duhet të reshtim asnjë minutë punën tonë. Të punojmë në mënyrë të palodhur, në mënyrë që  të realizojmë me shumë sukses rindërtimin e gjithë shtëpive të shkatërruara nga tërmeti, të mposhtim përfundimisht këtë armik të padukshëm, të ndërtojmë, rrugë, qytete, porte, aeroporte, të cilët do ta bëjnë më të bukur jetën tonë. Të bëjmë që fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat të na gëzojnë këtu brenda në Shqipërinë tonë”, u shpreh Bozo.

“Si gjyshe dhe si shkencëtare, mendoj që vota jonë është shumë e rëndësishme. Vota është e shenjtë, vota është individuale dhe ajo duhet të shkojë në drejtimin e duhur, duhet të shkojë për PS-në që është forca më progresiste në vendin tonë dhe në këtë mënyrë ne do jemi të qetë që kemi bërë detyrën tonë, ndaj familjes, ndaj fëmijëve dhe ndaj vendit tonë”, theksoi Bozo. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.