Porti i Durrësit certifikohet me standardet ISO për cilësinë e menaxhimit

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Në ambientet e Autoritetit Portual Durrës u zhvillua ceremonia e marrjes në dorëzim të certifikimeve ISO.
Porti i Durrësit, pas një pune voluminoze 12-mujore, kaloi me sukses dy fazat e auditimit nga trupa certifikuese (Quality Austria), për 4 standarde ndërkombëtare:
1. ISO 9001:2015 – Menaxhimi i Cilësisë,
2. ISO 14001:2015 – Menaxhimi i Mjedisit,
3. ISO 45001:2018 – Menaxhimi i Sigurisë dhe Shëndetit në Punë,
4. ISO 50001:2018 – Menaxhimi i Energjisë.
Këto certifikime janë tregues të qartë të rritjes së cilësisë të shërbimeve që ofrohen në Portin e Durrësit, sikundër dhe një mesazh pozitiv për klientët ndërkombëtarë dhe përdoruesit e Portit.
Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD, Pirro Vengu, tha se “standardizimi i shërbimeve portuale sipas kërkesave dhe referencave ndërkombëtare është jo vetëm një vlerësim për APD, por gjithashtu një udhërrëfyes për mbarëvajtjen e investimeve madhore të Portit Turistik në Durrës dhe Portit të ri të integruar të mallrave në Porto Romano”.
Sipas tij, ky proces tejet i rëndësishëm do të vijojë me standardizime të tjera të domosdoshme lidhur me aktivitetet portuale.
Pak ditë më parë Porti i Durrësit është pranuar në Organizatën Europiane të Porteve Detare (European Sea Ports Organisation), në të cilën bëjnë pjesë 22 porte të Bashkimit Europian.
/k.s//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.