Pediatria e re e Tiranës/ Investim i shumëpritur për kryeqytetin, ëndërr e brezave të tërë mjekësh


TIRANË, 22 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot ambientet e Pediatrisë së re të Tiranës, një ëndërr e brezave të tërë mjekësh dhe një investim i shumëpritur për kryeqytetin.

Në bisedë mjekët, Rama tha se “të gjitha pikat nevralgjike janë prekur dhe faktikisht sistemi nga ana e infrastrukturës është ngritur aty ku duhet”.

“Ta gëzoni spitalin! Do ju rrisim pagën prapë 40 % në këto vite që kemi përpara, por ajo që do t’ju sjelli shumë, shumë më tepër përfitim është autonomia spitalore”, tha Rama.

Ai theksoi se “përfundimisht spitalet do të administrohen nga vetë sistemi dhe Ministria e Shëndetësisë thjesht do të rrijë në nivelin e politikave dhe administrimit të burimeve njerëzore”.

“Gjithë pjesa e funksionit do të jetë funksion i brendshëm. Do të ndodhi ajo që ka ndodhur në Turqi dhe në vende të tjera, që paga pastaj bëhet pagë sipas punës. Më interesantja është që në sistemin turk ka qenë një problem shumë i madh para se të hynte sistemi i ri që mjekët për shkak të pagave të pamjaftueshme punonin edhe në privat. Me futjen e këtij modeli, ata e kanë me ligj që nuk lejohet kjo dhe është shkelje ligji dhe përjashtohesh, por nuk është përdorur asnjëherë ky ligj, se mjekët nuk kanë asnjë interes të ikin të punojnë në spitale private, sepse spitali vetë funksionon sipas punës që ke ti. E shfrytëzon sa orë të duash, plus me pikët që kanë, që çdo mjek sipas kartelës ka pikëzimin e vet, është fantastike”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “kjo fut shumë konkurrencë brenda. Çdo investim, çdo shpenzim administrohet vetë. Jepet shuma dhe është bordi këtu që thotë do ta përdorim për këtë apo për atë. Nuk vjen më nga ministria se qëllon që ke Ogertën ministre dhe është ok, por qëllon që ke ministër dikë që është kapsollë komplet dhe pastaj rri 4 vjet në mëshirë të fatit”.

Kryeministri informoi se “kemi filluar punën me turqit për gjithë legjislacionin e ri, por do ta diskutojmë me ju”.

“Ne do të fillojmë procesin e diskutimit për të pasur qartësi. Nuk do e fillojmë në gjithë territorin, do e fillojmë në Spitalin e Fierit. Do çojmë grupet ta shikojnë si funksionon, që kur të fillojë diskutimi mos të diskutojmë mbi bazën e parafytyrimeve, por të diskutojmë mbi bazën e një modeli”, tha Rama.

“Kështu, gjatë këtyre 4 viteve ta kthejmë komplet shëndetësinë publike në shëndetësi autonome. Për revolucione jemi ne, u plakëm dhe nuk hoqëm dorë nga revolucionet”, iu përgjigj Rama një mjeku, që e cilësoi këtë revolucion.

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se “tashmë ka përfunduar faza e parë e projektit të madh pediatrik të Tiranës, ku godina e re ka përfunduar duke bërë të mundur rritjen e kapaciteteve”.

“Mezi është pritur ky investim. E para, se rrit kapacitetet e pediatrisë dhe e dyta, se vendos një standard më të lartë shërbimi. Kjo është një godinë tërësisht e re që lidhet me godinën tjetër, e cila do t’i nënshtrohet rehabilitimit tërësor. Puna do të fillojë menjëherë për rehabilitimin”, tha ajo.

Manastirliu shtoi se “ambientet janë të ndara edhe për mjekët. Janë krijuar të gjitha korridoret sanitare për të mos pasur asnjë kontakt. Kjo godinë nuk krahasohet me godinën ekzistuese, është si nata me ditën”.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.