Ngjarja në Elbasan/ Prezenca e OSBE-së: Presim që policia dhe institucionet gjyqësore ta hetojnë plotësisht dhe ta ndjekin penalisht

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vërejti me shqetësim incidentin e dhunshëm, që çoi në humbjen e jetës në Elbasan.

Përmes një deklarate, Prezenca e OSBE-së në vendin tonë shprehet se “mendimet tona janë, së pari, për familjen e viktimës”.

“Ne besojmë, fuqimisht, që fushata zgjedhore dhe përgatitjet e zgjedhjeve janë një mundësi demokratike e jashtëzakonshme, e cila nuk mund të njolloset me gjak dhe dhunë. Presim që policia dhe institucionet gjyqësore të Shqipërisë ta hetojnë plotësisht dhe ta ndjekin penalisht këtë krim të shëmtuar”, thuhet në deklaratë.

Ditën e djeshme në Elbasan humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të të tjerë në një përplasje mes grupeve të mbështetësve të partive politike. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.