Ngjarja në Elbasan/ PD zyrtarisht ka strukturë të armatosur që ka vrarë një njeri

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, PD zyrtarisht ka një strukturë të armatosur, që ka vrarë një njeri.

Në një intervistë televizive, Rama tha se, “ajo që dimë zyrtarisht është që ka një strukturë të armatosur, të pranuar nga drejtues të PD, që kanë vrarë një njeri, kanë plagosur një efektiv policie, me pretendimin që po mbrojmë votën”.

“I ftoj të gjithë telespektatorët ta parafytyrojnë për një moment çfarë do të ndodhte sot në Shqipëri, nëse skena e djeshme e Elbasnait do të ishte në invers. Nëse grupi paramilitar, që medemek po mbron votën do të ishte i PS, nëse Taulant Balla do të mbante një fjalim përpara kufomës dhe do të dilte në darkë të thoshte, po ne kemi një strukturë paramilitare që mund edhe të vrasë. Këtu do të ishte djegur Shqipëria”.

Rama tha se, “ajo që është fakt këtu, dhe që nuk është mund të jetë, mund të mos jetë, është që në Shqipërinë e vitit 2021 është ngritur një strukturë paramilitare, me personazhe shumë të errta të botës së vjetër të rendit publik e të shërbimeve, e të prokurorëve të korruptuar etj, që sipas zëdhënesit të drejtpërdrejtë nga Elbasani, i zotërisë që drejton atje mund dhe të vrasë”.

“Unë do kisha pritur këtu që ta fillonim njëherë me faktin që ka humbur jetën një njeri, sepse nëse ai njeri do ta kishte humbur jetën nga dora e dikujt që do të ishte pjesë e një strukture të ngritur nga PS, unë jam i bindur që sot do të ishte djegur Shqipëria dhe ju të gjithë këtu nuk e di se çfarë do bënit. Prandaj të jemi seriozë me veten, me njerëzit dhe me vendin tonë”.

“Ajo që ndodhi dje në Elbasan dhe kjo që shohim këtu quhet kafshëri. Kjo nuk është as qytetari, kjo nuk është as demokraci”, tha Rama.
“Si kryeministër i këtij vendi unë ndjej neveri kur shikoj këto falanga që po t’i shikosh të bëjnë të mendosh që Shqipëria është një vend ku ka zbritur një fis hutu”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.