Ngjarja në Elbasan/ Mehmet Greca: Paplekaj më nxori pistoletën, vetëm atë pashë që qëlloi

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani, dhe u plagosë 4 të tjerë.

Mehmet Greca, personi që u mbajt rreth 20 minuta peng nga grupi për mbrojtjen e votës së Partisë Demokratike,  gjatë një interviste për Top Channel ka treguar detaje nga kjo ngjarje.

Mehmet Greca deklaron se ishte para banesës së tij. “Si gjithmonë këtu para shtëpisë time. Isha këtu me makinë. Ndaluan 5-6 persona, më thirrën. Ndalova, më kanë futur krahun, njëri nxori pistoletën dhe më shau duke bërë presion. Kërkonin të më merrnin telefonin. Më thanë pse kërkon vota për PS? I thashë nuk po i kërkoj njeriun, po bëmë muhabet me shokët e mi. Duke më sharë këta personat, kalon ai zotëria që u bë viktima. E pa që më kishin kapur mua dhe u tha mos e kapni”, – deklaroi Greca.

Ai tha se personi i cili qëlloi nuk ishte shumë larg. “Viktima erdhi për t’i thënë lëreni, mos e ngacmoni. Çfarë ju ka bërë? Pa 6-7 veta që pa që po më kërcënonin. Ai gjuajti direkt.  Shumë herë. Kam parë viktimën dhe kam ikur me vrap se u tremba. Kujtova se ishin policë. Se policët mbajnë pistoletë, nuk mban çdo njeri. Ata që erdhën këtu, ishin 6-7. Pastaj u bënë shumë se ka ardhur një fugon”, – tha Greca.

I pyetur nëse ka parë njeri tjetër të qëllonte, Greca tha se “nuk kam parë njeri tjetër të qëllojë përveç këtij”.

Greca thotë se në makinë kishte vetëm postera elektoralë.

“Unë me Klementin jam rritur se ka qenë në lagje këtu, pro kam më shumë se një vit që nuk e kam parë. Dhash dëshminë në polici. Po më thonin që ke në makinë lista, gjëra. U thash nuk kam asgjë në makinë. Vetëm postera që i kemi marrë te mbyllja e fushatës.  Kisha jo me shumë se 20 minuta që i kisha hequr targat. Kjo verifikohet shumë lehtë, sepse tek kolaudimi i hoqa targat. Mund të shkojë policia dhe t’i verifikojë shumë thjeshtë”, – tha Greca.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.