Ngjarja në Elbasan/ Basha: Të presim rezultatet e hetimit. Paplekaj oficer i shquar, armën e kishte me licensë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i pyetur sonte në një intervistë televizive për ngjarjen e Elbasanit, tha se, “jam shprehur disa herë, qoftë në dy takime masive si ai i Lushnjës dhe i Durrësit. Pa diskutim që është ngjarje e rëndë që nuk mund të veçohet nga konteksti. Për 8 vite, Elbasani ka qenë nën sundimin e bandave që kanë bërë aleancë me Ramën”.

“Kjo ngjarje mund të ishte parandaluar dhe do të ishte parandaluar nëse Rama nuk do të kishte dështuar këto 8 vite sepse bandat që morën pjesë në këtë ngjarje të rëndë kriminale, janë treguar me emër e mbiemër në SPAK, ndërsa shteti është nën gjunjë para tyre. Këta janë njerëz me precedent penal. Një gjë është e sigurt, vota në 25 prill është e sigurt për t’i dhënë fund kohës së këtij kryeministri dhe marifetit të shitblerjes së votës”, theksoi Basha.

“Shkaktari i kësaj gjendje është personi që ka dështuar për 8 vite dhe i ka futur njerëzit në shitblerjen e votës”, tha Basha.

“Kemi kriminelët të rreshtuar në krah të një kryeministri qe e ka kapur paniku, e kupton që ditën e diele do të humbë dhe kemi një popull të tërë të etur për ndryshim. Ne jemi me këtë shumicë Dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë dhe të kushtetutës dhe të ligjit për të mbrojtur votën e çdo shqiptari”, tha Basha.

I pyetur se pse do të mbrojë votën me armë dhe vrasje, Basha tha se, “nuk kishte armë. Ku e dini ju në çfarë rrethanash ka ndodhur vrasja? I keni të plota detajet e hetimit? Nuk i keni as ju, as unë”.

I pyetur për deklaratën e Arbër Paplekaj që ka thënë se kam qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes, Basha tha se, “je i pasaktë. Në deklaratën e parë, policia u tha që u arrestua, jo vetëdorëzua. Gënjeshtër. Të shohim çfarë ka ndodhur, presion i jashtëzakonshëm politik mbi policinë, mbi prokurorinë që të mos hetojë mbi bandat famëkeqe që kanë goditur punonjësit e policisë. Vrasja do të hetohet e do të zbardhet”.

“Vrasjen nuk e vendosim ne kush e ka bërë, por gjykata. Nuk i jap vetes atributin të jem dhe gjyqtar dhe kryeministër. Nga burimet e partnerëve strategjikë që e njohin oficerin Paplekaj, i RENEA-as, i shquar në Afganistan ku ka trajnuar dhe ka qenë në një prej misioneve dhe po ju them që ai është i vetmi i vetëdorëzuar dhe ka thënë, jam përfshirë, arma ime është me licensë.  Pse të mos marrim atë që e solli çështjen këtu. Nëse nuk do kishin bërë punën e vet policia dhe prokuroria, sot viktima nuk do ishte i vdekur. Të presim rezultatet e hetimit”, tha Basha.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.