Nga nesër nis vaksinimi i punonjësve të industrisë fason në të gjithë vendin

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Nga nesër nis vaksinimi i punonjësve të industrisë fason në të gjithë vendin.

Kjo u bë e ditur nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë një takimi që zhvilloi në një nga sipërmarrjet fason në vend.

Procesi i vaksinimit masiv të popullatëspo ecën me ritme të shpejta dhe sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që nga fillimi i fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”, janë kryer mbi 370 mijë vaksinime.

Në total, Shqipëria ka administruar deri tani mbi 700 mijë vaksina, ndërsa renditemi vendi i parë në rajonin e Ballkanit për procesin e vaksinimit masiv kundër COVID-19.

Në fillim të kësaj jave presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, bëri të ditur se 145 mijë doza vaksina “Pfizer” të financuara nga Bashkimi Europian do të jenë në Shqipëri duke nisur nga maji deri në fund të gushtit.

Procesi i vaksinimit masiv ka vijuar në të gjithë vendin me kalendar të kombinuar, për qytetarët +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.

Vaksinimi po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.