Nebijaj: Të dielën votoni PD për Shqipërinë me turizëm 12 muaj

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kandidatja e PD, Oriela Nebijaj u takua me operatorë turistikë për të diskutuar mbi problematikat e këtyre të fundit dhe mbi programin e Partisë Demokratike për këtë sektor.

“Ne kemi qenë bashkë në të gjithë hapësira dhe mundësitë që unë kam pasur, në mënyrë që të jepja unë kontributin tim në gjithçka të mirë që Shqipëria ka. Por ju e dini se sa shumë gjëra ka nevojë të ndryshojnë në mënyrë që Shqipëria të ketë parësore turizmin. Nëse kjo ndodh me pak vullnet të mirë dhe me pak vëmendje unë jam e sigurt që bëhën mrekullira në këtë vend. Megjithatë nëse ka një problematikë të parë që unë e kam diskutuar me të gjithë ju dhe jam e sigurt që të gjithë kemi qenë në një mendje është fakti që turizmi nuk mund të jetë 2 muaj. Kemi nevojë për turizëm që fillon dhe mbaron në 12 muaj të vitit. Shqipëria e ka të gjithë potencialin për ta patur këtë turizëm dhe për të shkuar më tej”, tha Nebijaj.

Kandidatja Nebijaj deklaroi se është detyrë e çdo qeverie t’i sigurojë kushtet më minimale çdo iniciative familjare apo biznesi për të zhvilluar turizmin.

“Është e dhimbshme të dëgjosh kur ti thua që shteti minimalisht duhet të jetë mbështetës ndaj çdo institucioni biznesi apo familjeje që me atë kontributin e tij minimal dhe të thjeshtë ndërton një frymë shumë të mirë dhe mund të kthehet nesër në një agroturizëm të vërtetë dhe jo të kthehet në një armik. Ky është detyrimi i vetëm që një shtet duhet të ketë dhe një qeveri duhet të ketë, përndryshe kot që e kemi dhe katër vite pastaj janë shumë”, u shpreh Nebijaj. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.