Meta, takim me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE: Zgjedhjet, rëndësi historike për të ardhmen tonë europiane

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të lartë të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të OSBE, që do të vëzhgojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, zëvendëspresidentin Azay Guliyev dhe sekretarin e përgjithshëm, Roberto Montella.

Meta u shpreh për takimin se “vlerësova përpjekjet e sinqerta dhe ndër vite të Asamblesë Parlamentare të OSBE në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe veçanërisht angazhimin e tyre për monitorimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht vështirësive të pandemisë”.

“I informova hollësisht mbi situatën parazgjedhore dhe i sigurova për bashkëpunimin e plotë në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe evidentimin e faktuar të çdo krimi zgjedhor, që synon të deformojë rezultatin përkundër vullnetit të qytetarëve. Theksova se këto zgjedhje kanë një rëndësi historike për të ardhmen europiane të Shqipërisë, dhe se si President i Republikës do të bëj çdo përpjekje për të garantuar paprekshmërinë e votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës”, tha Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.