Meta: Synimi është blerja e votave të LSI-së që po rritet, ndërkombëtarët të jenë më parimorë

TIRANË, 22 prill /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta doli sërish sot në konferencë të jashtëzakonshme për gazetarët të cilëve u ka paraqitur shtetasin Ramazan Topuzi, personi i cili u aludua si subjekt i OFL-së në një video ku takohet me Metën.

Meta u ndal te fushata elektorale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama si autorin e vetëm të tensionimit të situatës.

“Boll i mashtrove socialistët. Nuk e ndryshon dot rezultatin e zgjedhjeve. Ky është burimi i tensionit në Shqipëri, është Edi Rama. Ka kapur drejtësinë e do që të blejë votat”, tha Meta.

Sipas Presidentit Meta votat që po blihen janë të LSI, sepse sipas tij ajo rritet.

“Synimi është të blihen votat e LSI. LSI është problemi se rritet, sepse sa më shumë gjethe të kalbura i ikin, aq më shumë shëndoshet”, tha Meta.

Presidenti Ilir Meta publikoi edhe një video ku sipas tij tregohet sesi blihen vota në Shkodër. Ai tha se gjithë populli i Durrësit e di pse ka tension në Durrës.

“Në Durrës janë 3 banda për t’i dhunuar. Dy banda të njohura, Vangjush Dako që blen vota, vazhdon edhe kësaj dite e di policia, Ardi Çela i OSHEE-së që e ka vendin në burg, edhe i treti që duhet të ishte në burg, por SPAK s’ka pasur shumë kohë, është Lefter Koka, që me djalin e tij terrorizojnë vajzat, gratë edhe gjithë njerëzit e ndershëm të Durrësit, që të mos votojnë për LSI, që e bëri ministër atë. Mbajtëm sipër barrën e Leftër Kokës dhe djalit të tij që del me pistoletë dhe vete shtëpi më shtëpi, bashkë me policë, bashkë me persona në kërkim dhe bashkë me të tjerë që janë liruar nga burgu për të blerë vota me porosi të Edi Ramës”, tha Meta.

Gjithashtu, kreu i shtetit u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të jenë më parimorë e që të reagojnë në kohë.

“U bëj thirrje ndërkombëtarëve, të jenë më parimorë. E të reagojnë në kohë. Nëse nuk do kishin toleruar shkeljen e njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit, situata do të kishte qenë më e mirë. Nëse do të kishin dënuar sulmin e banditëve ndaj opozitës nuk do të kishte ndodhur as vrasja dje në Elbasan”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.