Meta: Jam në fushatë për të mbrojtur votën e lirë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se “deri më tani Policia e Shtetit është treguar komplet e njëanshme”.

Duke folur në një intervistë televizive Meta tha se, “këtu përmendim ngjarjen e Kavajës, që u deshën dy ditë për t’u vënë para drejtësisë eksponentët e krimit. Kjo sjellje e Policisë nuk do kishte sjellë vrasjen në Elbasan”.

“I bëj thirrje të gjithë policëve të tregojnë integritet, të zbatojnë ligjin dhe të mos bëheni pale me politikën, por të zbatojnë ligjin dhe të bëjnë detyrën e tyre”, tha Meta.

“Policia e Shtetit në ngjarjet e fundit të ndodhur në vend, nuk ka zbatuar ligjin. U bëj thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit të bëjnë detyrën dhe mos të bëhen palë me asnjë që shkel ligjin”, theksoi Meta

“Përdorja e të dhënave personale dhe marrja e tyre nga institucionet shtetërore nga ana e Partisë Socialiste, janë bërë për të shantazhuar qytetarët. Ekspozimi i këtyre të dhënave personale të qytetarëve është shkelje e ligjit dhe cenim i të drejtave dhe lirive të njeriut. Patronazhistët janë shantazhistët e kohëve tona ose fuksat e kohës së kaluar. Është një strukturë e fshehtë, e paligjshme, shantazhuese dhe intimiduese”, tha Meta.

I pyetur për listën e PS, Meta tha se, “Edi Rama, spostoi nga lista e Partisë Socialiste,  figura të shquara socialiste si Pandeli Majko duke i zëvendësuar ato me persona të aferës së inceneratorëve, si Alqi Ballako i 17 në Tiranë, dhe Lefter Koka i 7 në Durrës”.

“Alqi Bllako është po aq përgjegjës sa Lefter Koka për çështjen e inceneratorëve. Sot të dy duhet të ishin në bankën e të akuzuarve”.

Meta nënvizoi se, “heqja e të drejtës së emigrantëve për të votuar, është shkelje e të drejtave kushtetuese të shtetasve për të marrë pjesë në votime. Edi Rama e bën këtë  për të parandaluar votën kundra që do marrë nga emigracioni”.

Meta pranoi se është në fushatë. “Po, unë jam në fushatë për të mbrojtur votën e lirë. Çfarë punë më të rëndësishme ka Presidenti Republikës se të mbrojë votën e lirë”, tha Kreu i Shtetit.

“Zgjedhjet janë një moment bashkimi, jo më kot dhe zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore i cakton Presidenti”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.