Mandati i tretë vulos njëherë e mirë se ajo që ndodhi në Elbasan, s’do të shfaqet kurrë më

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “Shqipëria në 25 prill do të përballet me një test karakteri dhe shqiptarët do të duhet të vendosin anën në të cilën do të gjenden në datën 26”.

Rama tha se, “në 25 prill është dita, jo për të bashkuar kënaqësitë, tona, por për të bashkuar të gjitha pakënaqësitë tona dhe për t’i thënë vetes dhe njëri-tjetrit pikërisht se ka plot arsye të jemi të pakënaqur me atë që kemi bërë, ne jemi ata që me fuqinë e pakënaqësive tona do të ngjitemi më lart, sado e vështirë të jetë, sado e lodhshme të jetë, sado sfiduese të jetë. Sepse ky është misioni ynë dhe kjo është koha jonë”.

“Shumëkush thotë ç’e do Edi Rama mandatin e tretë? Ç’e do? Në fakt, unë e di që kush nuk do të besojë nuk ka për të besuar kurrë, por mandati i tretë nuk është për mua, mandati i tretë është për të zbrapsur përfundimisht atë mallkim të historisë sonë, që gjithmonë iu shfaqet shqiptarëve në momente kritike në formën e personazheve të ndryshëm dhe i josh drejt rrugëve të shkurtra që i nxjerrin gjatë”, u shpreh Rama.

“Mandati i tretë është mandati që do të vulosë njëherë e mirë se ajo që ndodhi dje në Elbasan dhe gjithë ajo autokolonë e rishfaqur në jetën e shqiptarëve nuk do të shfaqet kurrë më. Kurrë më nuk do të ketë politikanë, të cilët do të mund ta marrin përsipër të bëhen korrierët e atij mallkimi”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.