Manastriliu: Do ta shkelim të parët vijën e finishit në 25 prill, do vijojmë reformat e nisura

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, njëkohësisht ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastriliu, theksoi sot se jemi plotë besim që ne do ta shkelim të parët vijën e finishit në 25 prill, sepse do vijojmë reformat e nisura që vetëm një skuadër fituese si e ajo e PS mund ta bëjë.

Në fjalën e saj në mbylljen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste në Tiranë, tha se “ky shi sot është vetëm një lum votash që do të jetë për PS-në në 25 prill. Kemi 3 ditë në vijën drejt finishit të 25 prillit të një fushate që e kemi bërë me energji, forcë, kurajo, kemi ditur të zgjojmë shpresat sikurse vetëm socialistët mund ta bëjnë”.

“Data 25 prill po ofron dhe në këto 3 ditë të mbetura duhet të vijojmë të trokasim në çdo derë, në çdo zemër për ti thënë të gjithëve se besimi tek PS është një nga investimet për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse Shqipëria e 2021-it është si dita me natën nga Shqipëria e 8 viteve me parë. Nëse sot Shqipëria po sheh dritën e në fund të tunelit të pandemisë, nëse sot ia kemi dalë nga dy kriza të mëdha dhe kemi vazhduar me vendosmëri përpara sepse sot ne e kemi më të prekshme të ardhmen e fëmijëve tanë kjo është falë vizionit të Edi Ramës dhe qeverisjes së PS”, nënvizoi Manastirliu.

Më tej Manastirliu tha se “do vijojmë projektet e mëdha të Shqipërisë europiane. Kur të kthehemi pas disa vitesh dhe të mendojmë 25 prillin dhe ta kujtojmë atë së bashku me fëmijët do të kujtojmë ditën kur Shqipëria vendosi të votojë për shpresën, zhvillimin, për punën, për të ardhmen për Edi Ramën dhe PS dhe Tirana u bë lokomotiva e fitores në të gjithë Shqipërinë”./k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.